Dënimi në mungesë
ILIAZ BOBAJ
tregim satirik
Takimi i komisionarit të lartë të Bashkimit Evropian për Rendin dhe Drejtësinë, me ministrin e Drejtësisë, u zhvillua i ngrohtë, mikpritës.
Përfaqësuesi i lartë evropian e dëgjoi ministrin shqiptar me vëmendje të plotë, i matur e i qetë, si ai pedagogu studentin e vet, për t’i vënë më pas notën e merituar. Ai mbajti herë pas here disa shënime për ato që i interesonin dhe bëri disa pyetje, për të cilat mori përgjigje të sakta.
Sipas planit të vizitës, pas dy orësh ai do të takohej edhe me ministrin e Rendit.
Edhe takimi i dytë ishte pothuajse i njëjtë me të parin, veçse këtë herë pedagogu kishte përballë një student tjetër.
Sipas të dhënave të të dy ministrave, ai vërejti jo pakënaqësi, se kriminelët në Shqipëri ishin vënë me shpatulla për muri nga drejtësia shqiptare dhe kishin marrë dënimin e merituar që parashikonte ligji, i cili, siç theksuan ministrat, ishte i shenjtë dhe mjerë ai që bënte krime, se organet e rendit e mbërthenin skifteri zogun dhe drejtësia nuk i falte asnjë presje.
Ndërkohë që po mbyllej edhe takimi i dytë, komisionari evropian kërkoi të vizitonte njërin nga burgjet ku vuanin dënimin autorët e krimeve të rënda, si vrasje, trafik qeniesh njerëzore etj.
Përfaqësuesit e dy ministrive që e shoqëronin panë njëri- tjetrin në sy, si ai burri gruan kur iu vjen dikush befas për darkë dhe nuk kanë ç’t’i vënë në tryezë, por e mblodhën veten dhe u nisën së bashku me të dërguarin e Evropës.
Drejtori i burgut i priti po kaq përzemërsisht.
– Urdhëroni, – e ftoi ai buzagaz mikun së bashku me shoqëruesit, duke shtrirë dorën si në takimet diplomatike.
– Këtu, – nisi të fliste drejtori, duke treguar me dorë qelinë e parë, – mbahet një i dënuar nga rrethi i Tiranës, i cili ka kryer tri vrasje me paramendim. Dënuar nga drejtësia me 18 vjet burgim.
– Po ku është i dënuari? – pyeti paksa i habitur komisionari evropian, kur pa derën e qelisë të mbyllur me një dry të madh, të rëndë e të nxirë dhe dhomën bosh.
– Askush nuk e di, zotëri. Pasi kreu krimin, u zhduk pa nam e pa nishan si zogu mes reve. Thonë se është parë në Romë. Është shpallur person në kërkim.
– Sa vjet ka që është dënuar? – pyeti përfaqësuesi i BE-së.
– Plot njëmbëdhjetë vjet.
– Dhe sa kohë e ka vuajtur dënimin?
– Në burg asnjë ditë. Po me ligj është i dënuar. Kështu që e vuan dënimin në mungesë.
– Vazhdojmë, – tha drejtori dhe ndaloi përballë qelisë tjetër.
– Te kjo qeli mbahen dy të dënuar, vijoi ai. – Njëri për vrasjen e dy policëve, tjetri si bashkëpunëtor në krim.
– Po këtu shoh vetëm një, – vërejti miku nga Evropa.
– Ky që shihni këtu është i dënuar si bashkëpunëtor në krim, pasi një ditë para se të kryhej krimi, janë parë së bashku duke pirë kafe te lokali “Hardhuca e verdhë”. Krimineli u largua pa lënë gjurmë, por ne e kapëm bashkëpunëtorin e tij. Tjetri, kuptohet, e vuan dënimin në mungesë.
Këmbë arritën në qelinë e tretë.
– Qelia që keni përballë u lirua sot në mëngjes. Në të mbahej një i dënuar me 22 vjet heqje lirie, për dy vrasje dhe trafik vajzash. Ishte njeri me vullnet të pathyeshëm, bëri të pamundurën derisa u rishqyrtua kërkesa e tij dhe drejtësia e nxori të pafajshëm.
Përfaqësuesi i BE-së s’dihet ku e kishte mendjen dhe i ndiqte shpjegimet e drejtorit të burgut me një vështrim të përhumbur, si ai që ndodhet para një problemi, të cilin, edhe pse e vret mendjen, nuk e kupton dot.
– Ndërsa në qelinë që shihni, – e zgjoi zëri i tonuar i drejtorit, i cili i ngjante atij të mësuesit, për ta përqendruar vëmendjen e nxënësve në mësim, – mbahet një kriminel i rrezikshëm, i dënuar për vrasje, trafik vajzash dhe vjedhje të armëve. Pasi e mbushi kupën, policia e arrestoi. Drejtësia e gjykoi, por doli i pafajshëm. Mirëpo nuk kaloi as një javë dhe erdhi vetë si breshka te nallbani në gojën e policisë në Durrës, së bashku me tri vajza, të cilat i kishte rrëmbyer forcërisht, për t’i shitur në Itali si prostituta.
U dënua me tetë vjet burg dhe po vuante dënimin. Një ditë i vjen e fejuara për ta takuar. E takoi në prani të policit të armatosur që e ruante por, për habi, i iku nga duart së bashku me të fejuarën. Pa kaluar mirë muaji, u gjend në Paris, ku u martua dhe bëri dasmë në një lokal të dëgjuar. Vuan dënimin në mungesë.
Vijoi një heshtje e thellë. Dëgjoheshin vetëm hapat që shkelnin lehtë në korridor.
– Në këtë qeli, – e theu heshtjen drejtori, – vuan dënimin një tjetër kriminel i rrezikshëm, autor i katër vrasjeve dhe i katër përdhunimeve, tregtar lëndësh narkotike, një kriminel i lindur, i dënuar me burgim të përjetshëm. Pasi vrau edhe një polic, u kap nga policia, u dënua dhe, falë rrezikshmërisë së tij të lartë, e vendosëm vetëm në qeli. E ruanin dy policë. Një ditë prej ditësh qelia u gjend bosh. Po ajo që na la gojëhapur, ishte se ishin zhdukur pa lënë asnjë gjurmë edhe të dy policët që e ruanin. Dhamë alarmin. Përfundimisht doli se i dënuari qe arratisur, kurse policët qenë larguar në drejtim të paditur. Sipas të dhënave të sakta që kemi, pas dhjetë ditësh i kishin parë të tre së bashku duke pirë kafe në Bruksel. Edhe ky vuan dënimin në mungesë.
Komisionari evropian tundi kokën në shenjë pohimi.
Drejtori, i kënaqur nga mirëkuptimi i tjetrit, bëri edhe disa hapa dhe ndaloi. Hodhi sytë në qeli dhe duke bërë shenjë me gishtin tregues, siç veprojmë kur tregojmë diçka konkrete, i tha:
– I dënuari i kësaj qelie është i ngarkuar me aq krime sa është e pamundur t’i numërosh. Ky është krimi vetë. Pasi vrau dhe grabiti në trazirat e 1997-s, kërkoi të vihej shef i komisariatit të policisë në një rreth. E vunë, po pak kohë, pasi merrej me vjedhje dhe kontrabandë të hapur. Një ditë, së bashku me një shokun e tij, u zuri pritë dy biznesmenëve të fuqishëm. Vrau njërin prej tyre, plagosi tjetrin, ua rrëmbeu një sasi të madhe të hollash dhe e la vrapin në Athinë. Nuk kaloi shumë kohë dhe shokun e tij e zuri policia. E dënuan pesë vjet dhe e sollën këtu. Krimineli në fjalë, pasi mori vesh për dënimin e shokut të tij, erdhi nga Athina dhe një ditë u duk te dera e burgut, natyrisht i maskuar dhe kërkoi takim me të. Askush nuk e njohu.
– Mos u mërzit, nesër do të dalësh! – i tha mikut të tij, i shtrëngoi dorën dhe u largua.
Dhe vërtet, tjetri të nesërmen u lirua. Njoftimet që kemi thonë që, pasi ndenji rreth një muaj në Tiranë, shkoi përsëri në Athinë. Edhe ky…
– E vuan dënimin në mungesë, – plotësoi komisionari evropian.
– Pikërisht, zotëri, – shtoi drejtori dhe vazhdoi më tej.
– Nuk është nevoja, – ndërhyri përfaqësuesi evropian. – Gjithçka është e qartë, kriminelët shqiptarë e vuajnë dënimin në mungesë.
Ndërsa po ktheheshin drejt derës së hyrjes, të heshtur si një kortezh i përmortshëm, drejtori i burgut e theu heshtjen përsëri:
– Duke përfituar nga ky takim, do të dëshiroja të shtoja edhe diçka tjetër. Siç e shihni, zotëri i nderuar, Evropa, dashur pa dashur, është bërë strehë e kriminelëve shqiptarë. Le t’i themi gjërat hapur. Fakti që kriminelët evropianë nuk guxojnë të vijnë në Shqipëri, por ndodh vetëm e kundërta, të bind plotësisht për vërtetësinë e mendimit që theksova më lart. Do të ishte në të mirën e përbashkët që edhe ju t’i përgjigjeni pakëz më mirë nivelit të punës sonë në këtë drejtim. Vetëm kështu mund të kemi një Evropë të sigurt.
Komisionari evropian uli kokën dhe ndenji i heshtur si një gur.
Mesazhi i palës shqiptare ishte i qartë.
Ai i dha dorën drejtorit të burgut dhe doli i menduar. Të tjerët e ndoqën pas.
Marrë nga numri 17 i revistës “Akademia”