Dënimi për marrëveshjet e rritjes së çmimit është deri në 10 për qind të qarkullimit vjetor
Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), Valon Prestreshi, ka thënë se në rast se vërtetohet se në një industri të caktuar ka marrëveshje të fshehtë ndërmjet bizneseve të caktuara për t’i rritur çmimet në mënyrë të koordinuar, bazuar në masat administrative dhe në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, parashihet dënime deri në 10 për qind të qarkullimit vjetor të ndërmarrjes.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka folur për punën që bën AKK-ja, për angazhimin e saj në terren për parandalimin e çfarëdo shkeljeje të mundshme të konkurrencës në treg në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
“Epoka e re”: Z. Prestreshi, sa punëtorë janë në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe a janë të mjaftueshëm për ta mbuluar veprimtarinë për të cilën jeni të thirrur?
Prestreshi: Aktualisht në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës janë të punësuar gjithsej 24 zyrtarë të cilët janë të shpërndarë në divizione të ndryshme dhe operojnë në kuadër të Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut të AKK-së. Kemi Divizionin për Pozitat Dominuese, Divizionin për Marrëveshjet e Ndaluara, Divizionin e Përqendrimeve/Bashkimeve e të tjerë. Ju e dini se për disa vite AKK-ja ka qenë praktikisht jofunksionale, por që nga atëherë numri i punëtorëve është rritur dhe, po ashtu, kemi investuar edhe për thellimin e përgatitjes së tyre profesionale përmes trajnimeve të shumta. Në vitin 2019 kemi shtuar numrin e hetuesve, që është ndihmesë e madhe për ne. Por, natyrisht, meqë kemi të bëjmë me një treg të tërë për ta mbikëqyrur, mirëpresim rritjen e numrit të stafit në vazhdimësi.
“Epoka e re”: Cilët janë sektorët më të ekspozuar ndaj marrëveshjeve të kartelit apo marrëveshjeve të fshehta për rritje çmimesh në mënyrë të koordinuar?
Prestreshi: AKK-ja është një institucion publik, i pavarur për kryerjen e detyrave të përcaktuara me ligjet në fuqi, që angazhohet të parandalojë çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës në treg në tërë territorin e Republikës së Kosovës. AKK-ja në vazhdimësi bën mbikëqyrjen e të gjithë tregut dhe në këtë kuptim, të gjithë sektorët janë të përfshirë në veprimtarinë tonë. Për këtë arsye, ne s’dëshirojmë që të bëjmë kategorizime të sektorëve pasi shkeljet mund të ndodhin në çdo sektor dhe pa dallim të madhësisë së operatorit në treg. Për më tepër, duhet theksuar se mandati i AKK-së parasheh mbikëqyrjen e shkeljeve jo vetëm të ndërmarrjeve të tregut, por edhe shkeljeve të mundshme që mund të bëhen nga institucionet e Kosovës.
“Epoka e re”: Po ashtu, Shoqata e Naftëtarëve ka kontestuar deklarimet e juaja që dyshohet të ketë marrëveshje të koordinuar për rritje çmimesh. Çfarë vlerësimi keni ju për këtë?
Prestreshi: Siç e theksova edhe më lart, misioni i AKK-së është që të angazhohet që të parandalojë çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës në vend. Në këtë kontekst, hetimi ynë ndaj shkeljeve të mundshme nga operatorët e derivateve të naftës në Kosovë kishte filluar pas reagimeve të shumta të mediave dhe publikut në përgjithësi në fund të vitit 2018, kur kishte informacione se çmimi i derivateve të naftës në berëzën ndërkombëtare kishe shënuar rënie, por një gjë nuk ishte reflektuar në çmimet në tregun e Kosovës. Para disa ditëve AKK-ja ka bërë publike të dhënat e një hetimi i cili s’ka përfunduar ende, sepse operatorët e naftës kanë ende kohë që t’i dërgojnë komentet e tyre. Andaj, ne jemi në pritje të këtyre komenteve. Duhet thënë se hetimi ynë është bazuar në të dhënat që AKK-ja ka mbledhur nga institucionet e tjera relevante, siç janë Doganat, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe ATK-ja.
“Epoka e re”: Dyshime kishte dhe për rritje çmimesh në mënyrë të koordinuar edhe për kafetë në rrugën “Rexhep Luci” si dhe për çmimin e bukës në nivel vendi?
Prestreshi: AKK-ja është në dijeni për çështjet të cilat po u referoheni dhe në të dy rastet ka ndërmarrë hapa bazuar në mandatin e tij. Lidhur me dyshimet për rritje çmimesh në mënyrë të koordinuar nga kafiteritë në Prishtinë, AKK-ja ka bërë hetime në terren si dhe është takuar me bizneset që operojnë në këtë sektor, por edhe Odën Ekonomike, si përfaqësues i këtyre bizneseve. Pas ndërhyrjes së AKK-së, këto biznese i kanë marrë parasysh sugjerimet e Autoritetit dhe rrjedhimisht çmimet kanë rezultuar me kthim në gjendjen e mëparshme. Gjatë monitorimeve AKK-ja ka vërejtur se ka laramani çmimesh në këtë sektor dhe se konsumatorët kanë mundësi të zgjedhin vetë produktin. Sa i përket çmimit të bukës, nëse ju kujtohet, ne në vitin 2017 kemi ndërhyrë në Komunën e Pejës për shkak të dyshimeve që kemi pasur për marrëveshje të bashkërenduara në mes të furrtarëve dhe pas ndërhyrjes së AKK-së, furrtarët kanë marrë zotim për rikthimin e gjendjes së mëparshme. Natyrisht, ne bëjmë vazhdimisht hetime të tregut, përfshirë edhe këtë sektor.
“Epoka e re”: Sa është dënimi për marrëveshje karteli dhe deri në sa vite është dënimi me burgim?
Prestreshi: Masat administrative, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, parashohin dënime deri në 10 për qind të qarkullimit vjetor të ndërmarrjes. Pra, në rastet kur një ndërmarrje ka qarkullim të madh vjetor, dënimet mund të jenë tejet të larta.
“Epoka e re”: Deri më tani sa dënime janë dhënë në sajë të punës suaj dhe a jeni i kënaqur me zbatimin e rekomandimeve që dalin nga AKK-ja?
Prestreshi: Mendimet profesionale dhe rekomandimet janë pjesë e rëndësishme e punës së Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Vetëm këtë vit ne kemi dhënë rreth 10 mendime profesionale ndaj institucioneve të ndryshme. Së fundi i kemi dhënë përgjigje edhe Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me ngritjen e çmimit të sigurimeve të veturave, një rast ky që nga ngritur reagime të qytetarëve. Përgjithësisht, mendimet profesionale të AKK-së vlerësohen dhe merren parasysh nga institucionet që bëjnë kërkesë për rekomandime, por përgjegjësi e jona është vetëm këshillimi, ndërsa zbatimi është në mandatin e tyre. Që nga themelimi i AKK-së janë shqiptuar mbi 10 dënime administrative por, siç theksova edhe më lart, për një kohë AKK-ja ka qenë praktikisht jofunksionale.
Albulena S.MAVRAJ