Dënohen me 82 vjet burgim sulmuesit e Ziadin Selës
Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar me gjithsej 82 vjet burgim shtatë të akuzuarit për tentim-vrasje të liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, më 27 prill të vitit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë.
Nikolla Vojmovski është dënuar me 13 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa me nga 13 vjet Kire Georgievski dhe Aleksandar Janevski-Toshta.
Me nga 10 vjet burgim janë dënuar Andrej Micov, Nikollce Dimitrievski, Oliver Oshakovski dhe Kosta Dellov, raporton “REL”-i.
“Të akuzuarit ditën kritike më 27 prill, pas ndërhyrjes së dhunshme në Kuvend me paramendim kishin tentuar të likuidojnë Ziadin Selën. Të gjithë të akuzuarit kishin role të veçanta… vepra është e rëndë edhe për faktin se sulmi është bërë ndaj institucionit ligjvënës, përkatësisht Ziadin Selës, i cili në momentin e sulmit ishte në vendin e punës”, ka deklaruar gjykatësja Sllavica Andreevska.
Prokurori i lëndës ka kërkuar që të gjithë të dënuarve t’iu vazhdohet paraburgimi deri sa vendimet të bëhen të plotfuqishme, pasi pala mbrojtëse ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.