Dënohen katër ish-oficerë të Serbisë për vrasjen e gazetarit Sllavko Quruvija
Një gjykatë në Serbi ka dënuar me burgim katër ish-oficerë të inteligjencës serbe për, siç është thënë, vrasjen e një gazetari të shquar më 1999, i cili ishte kritik ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Sllavko Quruvija, pronar dhe kryeredaktor i dy gazetave të pavarura në atë kohë, ishte qëlluar jashtë shtëpisë së tij në Beograd, më 11 prill, 1999, pak ditë pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s, që ndali luftën e Serbisë në Kosovë.
Gjykata në Beograd ka dënuar të premten ish-kreun e sigurimit shtetëror, Rade Markoviq, dhe ish-udhëheqësin e inteligjencës në Beograd, Millan Radonjiq, me nga 30 vjet burgim.
Markoviq është duke shërbyer tashmë një dënim prej 40 vjetësh burgim për vrasje të tjera politike.
Gjykata ka dënuar me nga 20 vjet edhe dy ish-zyrtarë të inteligjencës, Ratko Romiq dhe Mirosllav Kurak. I fundit ndodhet në arrati.
Gjykatësja Snezhana Jovanoviq është cituar nga mediet lokale duke thënë se katër burrat janë shpallur fajtorë për vrasjen e gazetarit Sllavko Quruvija “me urdhër të një personi të panjohur”.
Familja e Quruvijës e ka akuzuar Millosheviqin për urdhërimin e vrasjes.
Millosheviqi është arrestuar në vitin 2001 dhe është dërguar në Tribunalin e Hagës për Krime Lufte, nën akuzat për gjenocid dhe krime të tjera të luftës, të kryera gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në vitet 1990.
Millosheviqi ka vdekur në paraburgim të Tribunalit më 2006, përpara se të merrej ndonjë vendim për të. /Rel/