Dënohen katër shqiptarë që rrëmbyen një italian

24 shtator 2023 | 09:28

Katër shqiptarë janë burgosur në Londër, pasi rrëmbyen një shtetas italian sepse nuk ua kishte paguar borxhin e supozuar të drogës.

Media britanike Sky News ka raportuar se italiani rreth të 30-tave u mbajt për 36 orë kundër dëshirës së tij në një apartament në Cricklewood, në veriperëndim të Londrës, pasi u josh në një lokal në shkurt të këtij viti, raporton Top Channel, transmeton KlanKosova.tv.

Kur policia kishte hyrë në banesë më 18 shkurt, e gjeti viktimën me disa plagë të shkaktuara me thikë dhe mavijosje.

Ervis Ademi, Xhekson Malollari, Mariglen Elezi dhe Hydajet Kadriu janë të burgosurit.

Malollari dhe Elezi u shpallën fajtorë për komplot për rrëmbim, ndërsa Elezi u shpall fajtor edhe për posedim të një sasie të vogël kokaine.

Rreth orës 12:30, policia e armatosur ka hyrë në banesë dhe ka arrestuar Malollarin dhe Elezin. Ademi dhe Kadriu u arratisën por u kapën dhe u arrestuan jashtë ndërtesës.

Detektivi Tom Waller, i cili udhëhoqi hetimin, tha se: “Ky rrëmbim ishte një sulm i tmerrshëm i planifikuar ndaj një personi.”

Pas arrestimit të shqiptarëve, oficerët kërkuan prova në banesë, ku gjetën kapuçët, sende të lyera me gjak, telefona celularë dhe çelësat e një makine që kishte qenë në skenën e rrëmbimit.

Pamjet e kamerave të lokalit tregonin Malollarin si një nga personat që takoi viktimën në lokal. Po ashtu, pamjet e kamerave të sigurisë të marra nga një lokal aty pranë treguan të njëjtën makinë në vendin e rrëmbimit dhe të parkuar jashtë banesës.

Sipas policisë kishte edhe disa foto dhe mesazhe inkriminuese në telefona, dhe një video tregonte viktimën me plagë, duke iu përgjigjur pyetjeve për para dhe duke u lutur për jetën e tij. Ademi dhe Malollari u dënuan në Gjykatën e Kurorës së Amersham të premten, më 22 shtator, me 10 vjet burg.

Elezi dhe Kadriu u dënuan me katër vjet burgim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në fshatin Banjskë të Leposaviqit nga disa të shtëna…