Dënohen manipuluesit e 748 votave në zgjedhjet e vitit 2010
Gjashtë persona janë dënuar nga Gjykata në Prishtinë për mashtrim në votime.
Më shumë se shtatë vjet pas zgjedhjeve të dhjetorit 2010, gjashtë persona janë dënuar për manipulim me 748 vota të këtyre zgjedhjeve
Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi sot me nga gjashtë muaj burg me kusht Ymer Herticën, Fitim Ibrahimin, Halil Berishën, Fatime Luta Osmanin, Idriz Murtezin e Lumnije Hysenin që akuzoheshin për mashtrim në zgjedhje.
E akuzuar për këtë vepër penale është edhe Florina Maxhuni por kryetarja e trupit gjykues vendosi që lënda kundër saj të veçohej për shkak se ekziston informacioni se e njëjta jeton jashtë vendit dhe është e paarritshme për momentin.
Gjashtë të dënuarit nuk duhet të kryejnë vepër tjetër penale gjatë një viti, nëse nuk duan që dënimi me kusht t’u kthehet në dënim me burg.
Të akuzuarit, para se t’u shqiptohej dënimi, e pranuan fajësinë.
Madje njëri nga ta kërkoi nga kryetarja e trupit gjykues që ta falte dënimin.
“E pranoj fajësinë për veprën për të cilën akuzohem, është hera e parë që është zhvilluar një procedurë penale ndaj meje dhe premtoj që në të ardhmen nuk do të bie më ndesh me ligjin.Kërkoj nga gjykata me ma falë”, deklaroi Ymer Hertica.
Edhe Fatlum Podgorica, avokati i Idriz Murtezit,kërkoi që gjykata të marrë për bazë si rrethanë lehtësuese se i mbrojturi i tij dhe të akuzuarit tjerë nuk kanë kryer më herët vepra penale, ndërsa janë penduar për atë që kanë bërë.
Prokurorja Besa Limani u pajtua me pranimin e fajësisë nga të akuzuarit.
Sipas aktakuzës, Ymer Hertica, Fitim Ibrahimi, Halil Berisha, Fatime Luta-Osmani, Idriz Murtezi si dhe Lumnije Hyseni akuzohen nga prokuroria se në dhjetor të vitit 2010 gjatë mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në vendvotimin në Shkollën Fillore “Selman Riza” në Fushë- Kosovë, në bashkëkryerje kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve.
Në aktakuzë tregohet se me rastin e numërimit të votave të kandidateve të subjekteve politike, të akuzuarit u kanë hequr votat disa kandidateve dhe ua kanë shtuar kandidateve të tjerë, duke i regjistruar në mënyrë jo të saktë gjithsej 748 vota.