Dënohen me burgim dy ndërmjetësues, martuan për letra 35 kosovarë
Gjykata e Landit (republikane) e Frankfurtit ka dënuar dy persona për ndërmjetësim të lidhjes së martesave fiktive.
Njëri prej tyre ka marrë dënimin me tre vjet e dhjetë muaj heqje lirie, ndërsa tjetri tre vjete. “Viktimat” e tyre kanë qenë kryesisht nga Kosova, shkruan Agjencia Gjermane e Lajmeve, DPA.
Trupi gjykues ka konstatuar se personat e përmendur, njëri 37 dhe tjetri 49-vjeçar, kanë bërë falsifikim dokumentesh dhe shkelje të ligjit mbi lirinë e lëvizjes, transmeton albinfo.ch. Vendimi i dënimit ende nuk është i plotfuqishëm.
Dy të akuzuarit, brenda një periudhe prej tre vjetësh, kanë sjellë në Gjermani 35 punëtorë nga vendet jashtë BE-së, kryesisht nga Kosova.
Këtu, nëpërmjet lidhjes së martesave fiktive me gra çeke, ata kanë siguruar “letrat” për të punuar në Gjermani dhe dokumentet që u kanë siguruar lëvizje të lirë në këtë vend si dhe në gjithë BE-në.
Për shërbimet e kryera, dy personat në fjalë kanë fituar rreth 400 mijë euro.
Shumica e të hollave janë paguar për ndërmjetësuesit e tyre.
Ata kanë pranuar veprën qysh në momentin e arrestimit të tyre.
Gjykata e Landit e Frankfurtit ka dënuar në javët e kaluara në dy raste të ngjashme persona për ndërmjetësimin e martesave fiktive