Dënohen me burgim dy nga gjashtë shtetasit turq që u dëbuan nga Kosova
Gjykata turke ka dënuar me nga shtatë vite e gjashtë muaj burgim dy nga gjashtë pjesëtarët e të ashtuquajturës organizatë terroriste FETO, të cilët ishin sjellë në Turqi nga Kosova vitin e kaluar përmes një operacioni të Agjencisë Kombëtare Turke të Inteligjencës (MIT) në bashkëpunim me inteligjencën e Kosovës, raporton “Anadolu Agency (AA).
Në seancën e mbajtur në Gjykatën e 30-të të Krimeve të Rënda në Stamboll, Osman Karakaya dhe Cihan Ozkan kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre.
Trupi gjykues i ka liruar të pandehurit Karakaya dhe Ozkan nga akuza për “spiunazh ndërkombëtar”, por ka shpallur dënim me nga shtatë vite e gjashtë muaj për akuzën “pjesëmarrje në organizatë të armatosur terroriste”.
Në aktakuzën e përgatitur nga Prokuroria Republikane e Stambollit, gjashtë të dyshuarit, ndër të tjera, ngarkoheshin me akuzat “drejtim i një organizate terroriste të armatosur” dhe “spiunim ndërkombëtar” dhe për ta ishte kërkuar burgim nga 16 vite e gjashtë muaj deri në 28 vite.
Gjykata e Krimeve të Rënda e Stambollit kishte ndarë lëndën për Osman Karakaya dhe Cihan Ozkan.