Dënohen të akuzuarit në rastin e vrasjes së Aulon Zekës
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin ndaj të miturit G.H, për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe veprës tjetër “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Fjala është për të akuzuarit në rastin e vrasjes së të riut Aulon Zeka, vitin e kaluar në Prishtinë.
“I mituri G.H është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim për të mitur në kohëzgjatje prej nëntë vjet e gjashtë muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej dt.17.09.2017 e tutje”, është thënë në njoftimin e gjykatës.
Gjykata ka shpallur aktgjykimin edhe për dy personat tjerë që kanë ndihmuar kryesin e veprës penale pas aktit të vrasjes.
Të miturës R.G i është shqiptuar masa edukativo-korrektuese në kohëzgjatje prej tri vjetësh.
Kurse, të miturit L.LL i është shqiptuar mbikëqyrje e shtuar nga organi i kujdestarisë në kohëzgjatje prej një viti e gjashtë muaj.
/Epoka e re/