Dënohet i akuzuari për krime lufte në Vushtrri
Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me 6 vjet e gjashtë muaj burgim serbin Zoran Vukotiq të akuzuar për krime lufte gjatë vitit 1999.
Aktgjykimi është shpallur në Mitrovicë para një trupi gjykues të gjykatësve të EULEX-it.
Ai është shpallur fajtor për pikën tre të aktakuzës e cila e ngarkonte Vukotiqin për tortura ndaj të burgosurve në burgun e Smerkonicës gjatë viti 1999.
Në verdiktin e saj gjykata e ka shpallë të pafajshëm Vukotiqin për akuzat se ai ishte pjesë e krimeve të kryera në fshatin Studime të Vushtrrisë.
Vukotiqi akuzohej lidhur me veprat të cilat kanë të bëjnë me krimet e bëra në fshatin Studime e Epërme dhe e Poshtme dhe trajtimet çnjerëzore dhe torturat e bëra ndaj të burgosurve në burgun e Smrekonicës.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), i akuzuari Zoran Vukotiq në mes të datave 2 dhe 3 maj 1999, në kapacitetin e tij si zyrtar policor rezervist nga stacioni policor në Vushtrri, në bashkëpunim me persona të tjerë nga radhët e forcave serbe, ka marrë pjesë në sulmin ndaj popullatës civile shqiptare e cila po udhëtonte në kolonë nga fshati Studime e Poshtme në Studime të Epërme.
Në vazhdim të aktakuzës është thënë se gjatë kësaj kohe, popullata civile në mënyrë të qëllimshme u është nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve të pafundme, dëbimit si dhe aplikimit të masave të terrorit.
Bazuar në aktakuzë në mesin e këtyre civilëve të vrarë, plagosur dhe të trajtuar në mënyrë johumane për çfarë i pandehuri Zoran Vukotiq mban përgjegjësi, janë: Ekrem Mullaku, Xhavit Mullaku, Fatmir (Ahmet) Gërxhaliu, Eshref Rashica, Adnan Bunjaku, Rrahmon Ademi, një 14-vjeçar i paindentifikuar, Haki Ademi, Shaip Gërxhaliu, Musa Gërxhaliu, Bajram Gërxhaliu, Bahrije Gërxhaliu dhe Avdi Gërxhaliu. (Kallxo.com)