Dënohet me 15 vjet burgim burrin që vrau gruan në vitin 2019
Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me 15 vjet burgim personin me inicialet I.H, pasi i njëjti më 31 maj 2019 në fshatin Samadrexhë të Suharekës e kishte sulmuar gruan e tij dhe e njëjta nuk i kishte mbijetuar plagëve të marra.
Sipas kësaj gjykate, I.H në ditën kur kishte ndodhur rasti, i kishte shkaktuar lëndim të rëndë bashkëshortes së tij deri në masën sa që kishte rezultuar përveç rrezikimit të jetës edhe me vdekjen e saj.
“Më dt. 31.05.2019, rreth orës 17:30 minuta, duke drejtuar veturën, në dalje të fshatit Samadrexhë, ku ishte me bashkëshorten e tij, tani të ndjerën H.D., të ulur mbrapa karriges së vozitësit, me të cilën për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme janë fjalosur, e pastaj e ka ndal automjetin në anën e djathtë të rrugës në drejtim të lëvizjes, të njëjtën me forcë e nxjerr jashtë dhe kur dalin jashtë në anën e djathtë të veturës, atëherë fillon ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar nëpër të gjitha pjesët e trupit dhe kur tani e ndjera është rrëzuar në asfalt të rrugës, i ‘a kap kokën dhe disa herë e godet për asfalti, ku për rrjedhojë pëson thyerje të kockës zverkore, gjakderdhje masive në cipat e buta trunore, në indin trunor dhe në vertikuj, të cilat dëmtime kanë shkaktuar trauma të shumëfishta në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, lëndime këto të konstatuara në raportin e ekspertizës mjekoligjore, nga të cilat lëndime më vonë e ndjera vdes në QKUK në Prishtinë me datë 15.06.2019”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prizren.
Kundër këtij aktgjykimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.