Dënohet me 25 vjet burgim polici që vrau qytetarin në Gjilan
Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit V. H., i cili ka qenë i akuzuar për tri vepra penale.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 29.12.2019, rreth orës 04:50 minuta në rrugën “NATO 99”, në Gjilan, i pandehuri V. H. (zyrtar policor),gjersa ishte duke vozitur veturën e tij shkaktohet një aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar L. S, tani i ndjerë. Deri tek ngjarja tragjike ka ardhur, kur pas aksidentit të ndodhur ka filluar kacafytja dhe kërcënimet e sharjet mes personave në fjalë, me ç’rast i pandehuri V. H. me armën e tij zyrtare shtinë në drejtim të viktimës L. S., ku nga plagët e marra në kokë, ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, ka njoftuar Gjykata Themelore e Gjilanit.
Sipas këtij njoftimi, tek i dyshuari gjithashtu janë gjetur edhe dy revole të tjera të modelit “Bereta 92 Auto” dhe 25 dhe fishekë të llojeve të ndryshëm, i cili të njëjtën ditë në një lokal në fshatin Malishevë të Gjilanit, duke dëgjuar muzikë kishte përdorur armën e tij.
“Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprat penale ‘vrasje e rëndë’, ‘mbajtja në pronësi, kontroll të armëve ose posedimit të paautorizuar të armëve’ dhe ‘përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, ka shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 25 vite burgim”, ka njoftuar Gjykata Themelore e Gjilanit.
Të akuzuarit, Gjykata me aktvendim të veçantë ka vazhduar masën e paraburgimit.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.