Dënohet me 6 muaj burgim me kusht personi që kishte shkruar se ‘kryeministri Kurti mund të vritet’
Ish-kandidati për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti, pas rikualifikimit të veprës penale nga “shtytja në vrasje” në veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, është dënuar me 6 muaj burgim me kusht.
Hoti ngarkohej se përmes një shkrimi të publikuar në “Facebook, shkruante se Albin Kurti ka dy rrugë, ose të lëshojë Kosovën ose mund të vritet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj tij u shpall të hënën, nga kryetarja e trupit gjykues, Alltëne Murseli.
Gjykatësja Murseli ka bërë të ditur se dënimi ndaj Hotit nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.
Gjithashtu, ajo bëri të ditur se trupi gjykues këtë vendim e ka marrë pas riakualifikimit të veprës penale nga “shtytje në kryerje të veprës penale vrasja”, nga neni 172 lidhur me nenin 32, paragrafi 3 të Kodit Penal, në “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, paragrafin 1.
Ndryshe, tanimë i dënuari nga shkalla e parë, Haxhi Hoti, nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së aktgjykimit.
Hoti po akuzohej nga prokuroria se përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” në dhjetor të 2019-ës, ku kishte shkruar “Albin Kurti ka dy rrugë ose ta lëshoj Kosovës ose mund të vritet”, ka kryer veprën penale të shtytjes në kryerje të veprës penale vrasja, raporton “Betimi për Drejtësi”
Ndryshe, i akuzuari Hoti ishte deklaruar i pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 7 shkurt 2020.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 23 janar 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj Haxhi Hoti, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “shtytje në kryerje të veprës penale Vrasja”, nga neni 172 lidhur me nenin 32, paragrafi 3 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2019 i akuzuari Hoti në rrjetin social “Facebook” ka bërë thirrje publike dhe shtytje në vrasje të kryetarit të partisë “Lëvizja Vetëvendosje”, Albin Kurtit, duke cekur në postimin e tij “Albin Kurti ka dy rrugë ose ta lëshoj Kosovës ose mund të vritet”.
Siç thuhet në aktin akuzues, i akuzuari Hoti ka krahasuar të dëmtuarin me të ndjerin Xhon F. Kenedi, “Xhon F. Kenedi ishte interes i popullit amerikan që të jetë president, por nuk ishte interes i shtetit amerikan që të jetë president” si dhe “Albin Kurti është interes i popullit të Kosovës, ndoshta, por nuk është interes i shtetit të Kosovës që të jetë kryeministër”.
Prokuroria pretendon se i akuzuari Hoti me këto veprime u ka shkaktuar shqetësim të madh përdoruesve të rrjetit social “Facebook” në Kosovë dhe gjithandej botës.