Dënohet me një vit burgim me kusht pejani i cili merrte çelësat e veturave që gjente hapur
Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar më 1 vit burgim me kusht, Valon Loxhën, i cili ka pranuar fajësinë për dy vepra penale – vozitjen e dy veturave, një e Bashkësisë Islame dhe një e Komunës, duke shkaktuar veprën penale “Cënimi i paprekshmërisë së mjeteve motorike”.
Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ndaj të akuzuarit Loxha, gjyqtari Veton Ademaj fillimisht kishte shqiptuar nga 7 muaj burgim me kusht për dy veprat penale, e më pas ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 1 viti burgim me kusht.
Në aktgjykimin e përpiluar më 16 prill të këtij viti, thuhet se dënimi me burgim ndaj Loxhës nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda dy viteve. I njëjti është obliguar edhe me pagesën e paushallit gjyqësor në shumën prej 20 euro, si dhe me pagesën e taksës për kompensim të viktimave të krimit në shumën prej 30 euro.
Palët e dëmtuara, Komuna e Pejës dhe Mustafë Lajqi, kanë hequr dorë nga kërkesa juridiko-pasurore. Në aktgjykimin e Gjykatës së Pejës, thuhet se gjatë mbajtjes së seancës jo publike të shqyrtimit gjyqësor, më 8 prill 2021, Loxha e ka pranuar fajësinë për akuzat që i vihen në barrë.
Prokuroria Themelore në Pejë, më 26 mars 2021, kishte bërë propozim për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri kundër të pandehurit Valon Loxha për dy vepra penale “Cenimi i paprekshmërisë se mjeteve motorike”.
Mirëpo, pas deklarimit të ekspertit të psikiatrisë forenzike lidhur me shëndetin mendor te të pandehurit, prokuroria kishte bërë zëvendësimin e propozimit, nga shqiptimi i masës së trajtimit të detyrueshëm në liri, në atë të kërkimit të shpalljes fajtor të të akuzuarit dhe dënimit të tij sipas ligjit.
“Me faktet e ofruara, si dhe pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit është vërtetuar gjendja faktike si në dispozitiv te aktgjykimit. Nga gjendja e vërtetuar faktike si është përshkruar në dispozitiv të aktakuzës, pa dyshim rrjedh se në veprimet e të pandehurit Valon Loxha, qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale të Cenimi i paprekshmërisë se mjeteve motorike, nga neni 334, par.1, të KPRK-së.
Gjykata nuk gjeti rrethana që përjashtojnë ndjekjen penale apo përgjegjësinë penale të pandehurit dhe i njëjti është penalisht përgjegjës. Sa i parket fajësisë i pandehuri është i vetëdijshëm për veprën e kryer dhe atë e ka kryer me dashje.”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës së Pejës.
Sipas aktgjykimit, duke vendosur lidhur me llojin dhe lartësinë e dënimit, gjykata ka vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese, si pranimi i fajësisë e faktin se i njëjti me parë nuk ka qenë i dënuar dhe nuk udhëhiqet ndonjë procedurë tjetër penale ndaj tij, raporton Betimi për Drejtësi.
Ndërsa, thuhet se gjykata nuk gjeti rrethanë rënduese.“Sipas bindjes së gjyqtarit, dënimi i shqiptuar, duke i marrë për bazë rrethanat e përmendura më lartë, është dënim i drejtë, në harmoni me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë së të pandehurit.
Gjyqtari i vetëm gjykues, gjithashtu ka konstatuar se me këto dënime mund të arrihet edhe qëllimi i dënimit, nga neni 41 i KPRK, i cili konsiston në parandalimin e të pandehurit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij; të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit.”, thuhet në aktgjykim.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të përpiluar më 26 mars 2021, Valon Loxha akuzohet se më 24 shkurt 2021, rreth orës 04:35 minuta, në rrugën “Lidhja e Pejës”, saktësisht tek parkingu i Bashkësisë Islame K. Pejë, në mënyrë të kundërligjshme hyn në veturën e morgut, të llojit “Hyundai”, veturë kjo në pronësi te të dëmtuarit Mustafë Lajqi, në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri hyn në veturën e lartcekur dhe të njëjtën e ndezë, përderisa e njëjta ishe në parking dhe largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të Mitrovicës, ku me pas ndalohet nga policia dhe lajmërohen organet policore të Pejës,Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Cenimi i paprekshmërisë se mjeteve motorike”, nga neni 334, paragrafi 1 të KPRK-së.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Loxha akuzohet se më 28 shkurt 2021, rreth orës 23:50, në rrugën “Sadri Kelmendi”, K. Pejë, në mënyrë te kundërligjshme hyn në veturën zyrtare të llojit “Audi A6”, veturë në pronësi të Komunës se Pejës, në atë mënyrë që natën kritike i pandehuri hyn brenda objektit të komunës dhe nga aty merr çelësin e veturës se lartcekur, ku me të njëjtën shkon në drejtim të Rugovës, derisa në një moment gjatë qarkullimit pëson defekt njëra prej gomave dhe me tu parë nga qytetarët lajmërohet policia. Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Cenimi i paprekshmërisë se mjeteve motorike”, nga neni 334, paragrafi 1 të KPRK-së.