Dënohet tentim sulmi ndaj Berat Buzhalës

22 mars 2020 | 09:19

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka reaguar pasi gazetari Berat Buzhala ka shkruar në llogarinë e tij në “Facebook” se persona të panjohur kanë tentuar ta sulmojnë derisa ky kishte shkuar në barnatore për të blerë barna.

Sipas Thaçit, tentim sulmi ndaj gazetarit Buzhala, është i papranueshëm në shoqërinë kosovare.

“Shteti demokratik i Kosovës është ndërtuar mbi të drejtat e njeriut, ku liria e shprehjes është përcaktuese për zhvillimin e demokracisë. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës, liderët institucionalë dhe politikë që të distancohen prej akteve të tilla”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ndërkaq kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se tentim sulmi ndaj gazetarit Buzhala, është sulm direkt ndaj mendimit ndryshe.

Ajo ka theksuar se e drejta e lirisë së shprehjes dhe liria e medias janë të drejta themelore të garantuara edhe me Kushtetutë.

“Çfarëdo cenimi ndaj punës së mediave, respektivisht gazetarëve, është cenim ndaj demokracisë si vlerë sublime. Tentim sulmi ndaj gazetarit Berat Buzhala është sulm direkt ndaj mendimit ndryshe. Ftoj autoritetet e rendit ta hetojnë rastin.

Gazetarët duhet ta gëzojnë fjalën e lirë, konform standardeve profesionale dhe ligjeve në fuqi. Ata këto ditë janë heronj gati po aq sa mjekët, infermierët, policët dhe shërbyesit e tjerë emergjentë që janë mobilizuar kundër pandemisë Covid-19. Prandaj duhet t’i përkrahim që të gjithë”, ka thënë Osmani në reagimin e saj.

Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka dënuar tentim sulmin ndaj Berat Buzhalës.

“Më shqetësoi lajmi për tentim sulmi të mbrëmshëm ndaj z. Berat Buzhala. Është veprim i ulët dhe meriton  dënim nga çdokush që e vlerëson fjalën e lirë, mendimin ndryshe dhe kultivimin e vlerave demokratike në këtë vend.

Frikacakët po e dëshmojnë e po e konfirmojnë se për ta pengesë kryesore janë  gazetarët, profesorët, krijuesit, intelektualët. Janë të gjithë ata që mendojnë me kokën e tyre. Tentimi për homeinizimin e  Kosovës është fatkeqësia më e madhe që mund ti ndodhë këtij vendi midis Evropës. Prandaj sot jam me Beratin”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se aktet e tilla janë të patolerueshme dhe janë cenim mbi të drejtën për t’u shprehur lirshëm.

“Institucionet e rendit duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme që t’i sjellin para drejtësisë personat që tentuan ta sulmojnë gazetarin Buzhala”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ndaj këtij rasti ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Selimi ka theksuar se askush, askë nuk ka të drejtë ta kërcënojë as ta shajë për mendimin që shpreh, për bindjen e tij politike dhe as për ushtrimin e  së drejtës së shprehjes së lirë. “Aq më tepër ndonjë përfaqësues të medias. Por, gjithashtu, askush nuk ka të drejtë ta akuzojë apo ta pragjykojë një kolektivitet, organizatë apo një grup të tërë shoqëror me përceptim të gabuar pa qenë të sigurtë se nga vije kërcenimi apo sharja”.

“Ftoj autoritetet e rendit ta zbardhin dhe ta hetojnë rastin. Poashtu pres nga Berati të bashkëpunojë me organet e rendit për ta kuptuar ne të gjithë se kush në të vërtetë e ka kërcënuar apo sharë”, ka shkruar Selimi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Edhe presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka dënuar tentim sulmin ndaj Buzhalës, duke theksuar se organet e sigurisë dhe drejtësisë urgjentisht duhet të hetojnë dhe t’i nxjerrin para drejtësisë ‘këto fundërrina të dhunës’.

Ai ka thënë se shprehja dhe mendimi i lirë janë baza e çdo demokracie dhe këto baza duhët të ruhen si sytë e ballit pa asnjë kompromis.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka…