Denveri fiton duelin e kreut në Perëndim, triumfojnë edhe Dallasi e Houstoni
Denveri mposhti me rezultat 115-112 Minnesotan në përballjen e dy prej skuadrave më të mira në Konferencën e Perëndimit dhe NBA.
Një sfidë e ekuilibruar deri në fund, ku të dyja ekipet dueluan për fitoren. Nikola Jokiq me 35 pikë e 16 rebound ishte lider për Denverin, mbështetur edhe nga Porter me 26 pikë. Për Minnesotan, Edwards realizoi 30 pikë e McDaniles 26, por që s’mjaftuan për të fituar.
Dallasi fitoi me rezultat 113-107 derbin teksan ndaj San Antonios, një sfidë ku veteran Kyrie Irving realizoi 28 pikë.
Mirë u paraqit edhe Luka Donqiq me një “triple double” (18 pikë, 10 rebound, 16 asistime). Fitore të lehtë arriti ekipi i Houstoni, që mundi me rezultat 137-114 Washingtonin jashtë fushe, sfidë ku diferencën e bëri Jalen Green me 42 pikë. Ndërsa Orlando, falë 62 pikëve të realizuara nga lojtarët e stolit, mundi me rezultat 112-92 Charlotte.
Rezultatet
Orlando – Charlotte 112-92
Washington – Houston 114-137
Brooklyn – New Orleans 91-104
San Antonio – Dallas 107-113
Minnesota – Denver 112-115