Denveri mposhti Lakersat, kualifikohet për herë të parë në finalen e madhe
Skuadra e Denver Nuggets u shpall kampione në Konferencën e Perëndimit në NBA, pas fitores në frymën e fundit me rezultat 113-111 ndaj Lakersave, në ndeshjen e katërt finale. Denveri fitoi kështu 4-0 serinë e ndeshjeve, duke fituar titullin e parë në histori në Konferencën e Perëndimit në NBA.
Për pasojë, Denveri do të luajë për herë të parë në 47 vite histori për titullin kampion në NBA, me fituesin që do të dalë nga sfida mes Miami e Boston (3-0 për Miamin). Edhe një herë ai që bëri diferencën në fushë ishte Nikola Jokiq, autor i një “triple double”, me 30 pikë, 14 rebound e 13 asistime.
Ndeshja ishte e hapur deri në fund, më e mirë për Lakersat në pjesën e parë, ku shkëlqeu LeBron James, autor i 40 pikëve e 10 rebound. Davis e mbylli me 21 pikë e 14 rebound, por që s’mjaftuan për të fituar. Përveç Jokiq, për Denverin u dalluan edhe Murray me 25 pikë e Gordon me 22 pikë. Jokiq u shpall edhe MVP i këtyre finaleve, duke vendosur edhe rekordin e 8 “triple double” në finalet “play-off”. Rekordi ishte me 7 “triple double”, vendosur në vitin 1967 nga Wilt Chamberlain.
Tashmë Denverin do të synojë titullin e parë në histori, ndërsa për Lakersat ky ishte maksimumi për një sezon që nisi keq por që u përmirësua me kalimin e kohës.