
Departamenti amerikan i Mbrojtjes: Nuk ka ndryshime të planifikuara për trupat në Kosovë
Për më shumë se 25 vjet, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ofron siguri. Por, në kohën kur zyrtarët amerikanë sinjalizojnë zvogëlimin e mundshëm të pranisë së tyre ushtarake në Evropë, lindin edhe pyetjet: a do të mbeteshin ushtarët amerikanë në KFOR, apo do të kërkonte administrata Trump favore në këmbim të tyre?
Nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes thonë për Radion Evropa e Lirë se, tash për tash, nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket pozicionimit të forcave të tyre. Por, me tensionet e vazhdueshme në Ballkan dhe me ndryshimin e prioriteteve globale, Kosova duhet të përgatitet për çdo skenar, thonë ish-zyrtarë të NATO-s.
“Secili ushtar i KFOR-it e kupton plotësisht dhe qartë detyrën e tij për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi më 25 qershor të 1999-ës komandanti i atëhershëm i misionit paqeruajtës të NATO-s, Mike Jackson.
Kjo forcë nisi të dislokohej në Kosovë atë muaj, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila detyroi tërheqjen e plotë të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova.
Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur me kalimin e viteve në rreth 4.600.
Më shumë se 25 vjet më vonë, misioni i saj mbetet i njëjtë: “ruajtja e një mjedisi të sigurt për të gjithë”, por e ardhmja e forcës disi e diskutueshme.
Një zyrtar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes konfirmon për Radion Evropa e Lirë se, “tash për tash, nuk ka asnjë ndryshim në pozicionimin e forcave për të njoftuar”.
Por, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, “është transaksional” dhe se mund të kërkojë nga Kosova favore në këmbim të mbajtjes së trupave.
“Ndaj, jini të përgatitur”, thotë Shea për Radion Evropa e Lirë.
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, vlerëson se vendi, aktualisht, nuk është në gjendje të vetëmbrohet.
Si lindën pikëpyetjet për trupat amerikane në Evropë?
Ishte fillimisht sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili porositi Evropën se duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.
Gjatë një vizite në Varshavë, muajin e kaluar, Hegseth tha se e ardhmja e saj do të varet nga kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike amerikane.
“Kjo është arsyeja përse mesazhi ynë është kaq i ashpër për aleatët tanë evropianë. Tani është koha për të investuar, sepse nuk mund të supozoni se prania e Amerikës do të zgjasë përgjithmonë”, tha ai më 14 shkurt.
Sipas një dokumenti që siguroi gazeta amerikane The Washington Post, Hegseth urdhëroi, gjithashtu, udhëheqësit e Pentagonit dhe të ushtrisë amerikane që të bëjnë plane për shkurtimin e buxhetit të mbrojtjes për 8 për qind, në secilin prej pesë vjetëve të ardhshëm.
Këtij debati, një element tjetër ia shtoi edhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.
Ai i kritikoi udhëheqësit evropianë për refuzimin e së djathtës ekstreme, ndërsa të ardhmen e trupave amerikane në Evropë e lidhi me politikëbërjen në kontinent.
Duke folur në Konferencën e Veprimit Politik Konservator më 20 shkurt, Vance tha se amerikanët nuk do të mbështesin mbajtjen e trupave në Gjermani, nëse njerëzit atje mund të burgosen për postime fyese në mediat sociale.
“E gjithë mbrojtja e Gjermanisë subvencionohet nga taksapaguesit amerikanë”, tha ai.
Situata shkaktoi jo pak ankth në mesin e aleatëve këndej Atlantikut.
Njeriu që pritet të bëhet kancelar i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha se synim i tij do të jetë arritja e pavarësisë nga SHBA-ja në aspektin e sigurisë.
“Për mua, prioritet absolut do të jetë forcimi i Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.
Trump, edhe gjatë mandatit të parë si president, u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve evropianë që t’i rrisin ndjeshëm kontributet e tyre financiare në mbrojtje.
I pyetur gjatë një konference me gazetarë, më 18 shkurt, se a do të ishte i gatshëm të konsideronte tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Evropa, në kuadër të një marrëveshjeje me presidentin rus, Vladimir Putin, për paqe në Ukrainë, Trump tha:
“Askush nuk më ka kërkuar ta bëj këtë. Nuk mendoj se duhet ta bëjmë. Nuk do të doja ta bëja”.
Shkrimi i plotë në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/shba-trupat-amerikane-kfor-kosova/33337053.html