Departamenti i Shtetit e vlerëson si të papranueshëm presionin ndaj policëve serbë në veri të Kosovës

24 gusht 2023 | 15:00

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është shprehur “thellësisht” i brengosur me dorëheqjet e fundit të policëve të porsaemëruar serbë në veri të Kosovës si pasojë e presionit, dhe tha se është e papranueshme që “dikush, përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, të ushtrojë presion politik ndaj individëve që duan t’i bashkohen” Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës ofron shërbime jetike për të gjitha komunitetet dhe qytetarët e Kosovës. Ne dënojmë çdo përpjekje për ta minuar diversitetin brenda radhëve të saj”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për “Radion Evropa e Lirë” më 23 gusht. Departamenti i Shtetit i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë për t’u kthyer në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.

Së paku shtatë policë serbë kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës që nga java e kaluar, gjë për të cilën autoritetet kosovare e fajësuan Beogradin zyrtar. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi më 18 gusht se “tashmë ka informacione të konfirmuara se kërcënimet dhe shantazhet vijnë direkt nga Serbia”.

Beogradi zyrtar nuk i ka komentuar këto akuza. Dyzet e gjashtë policë të rinj serbë e nisën punën në veri të Kosovës në fund të korrikut, por ata u përballën menjëherë kërcënime online në rrjetet sociale, të cilat zyrtarët kosovarë dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë dënuar ashpër. Rreth 550 policë serbë në veri – në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – patën dhënë dorëheqje kolektivisht nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë patën shpallur konkurs për pranim të policëve të rinj, duke i punësuar 74 të tillë. Prej tyre, 46 është raportuar se kanë qenë nga komuniteti serb. Integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës e parasheh një marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 2013, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.Dy vendet janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me fonde pa limit, Arabia Saudite po tundon çdo lojtarë…