Depozitat në nivelin më të lartë, kapin shifrën 4 miliardë euro

04 gusht 2020 | 15:31

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës të raportuara që përfshijnë periudhën deri me 1 gusht 2020, niveli i depozitave tashmë ka kaluar vlerën prej 4 miliardë euro – vlerën më të lartë historike që nga themelimi i sistemit bankar në Kosovë. “Në kontekst të strukturës, akoma rreth 60 për qind e depozitave janë depozita pa afat, 27 për qind depozita me afat dhe 13 për qind depozita të kursimit. Rritja e depozitave në sektorin bankar, me një trend të përshpejtuar gjatë viteve të fundit, pasqyron besimin e klientëve në sektorin bankar, sektor që rregullohet dhe mbikëqyret nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Bankat vazhdimisht kanë avancuar platformat e tyre për pagesa dhe klientët tashmë kanë mundësi që të aplikojnë bankingun elektronik. Avancimet në fushën rregullative si dhe mbikëqyrja profesionale, e përafërt dhe dinamike, kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e besimit të klientëve ndaj sektorit bankar”, thuhet në raportin e BQK-së.

Siipas BQK-së, përveç depozitave, kreditimi bankar ka shënuar rimëkëmbje të plotë duke arritur nivelet e kreditimit të periudhës së njejtë të vitit të kaluar. “Kreditë e reja të lëshuara nga bankat vetëm gjatë muajit korrik 2020 kanë arritur vlerën prej 145.0 milionë euro që paraqet vlerë shumë të përafërt me kreditimin e një viti më parë (146.2 milionë euro në korrik 2019) apo edhe duke e tejkaluar mesataren e kreditimit gjatë periudhën korrik 2015 – korrik 2019 (110.1 milionë euro). Rimëkëmbja e kreditimit është reprezentative edhe sa i përket sektorëve, ku rreth 60 për qind e kredive iu janë dhënë bizneseve”.

A.M/ Epoka e re

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komandanti i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Amir Gërguri,…