Depp e padit për mashtrim, Amber: Ka tentuar të më marrë frymën
Aktorja Amber Heard i ka kërkuar gjykatës që të hedhë poshtë padinë prej 50 milionë dollarëshe të ngritur nga ish-bashkëshorti Johnny Depp, pas akuzave të saj për dhunë në familje. Teksa ka përshkruar me dhjetëra raste të dhunës që Depp supozohet se ka ushtruar ndaj saj para dhe pas martesës, Amber është shprehur se ka siguruar dëshmi të reja që i mbështesin pretendimet.Në dokumente cilësohet specifikisht se Depp e ka goditur, shtyrë, tërhequr për flokësh, si dhe ka tentuar t’i marrë frymën.
Ndonëse ylli i “Pirateve të Karaibeve” i ka mohuar akuzat, Amber ka publikuar foto me plagë në fytyrë dhe krahë. “Johnny Depp abuzoi fizikisht dhe verbalisht ndaj Amber Heard”-tha avokati i saj Eric George në një deklaratë. “Që nga divorci i tyre, Depp vazhdoi ta ngacmojë publikisht Heard dhe u përpoq të mohonte abuzimin e tij”– vijoi më tej ai.
Depp ka ngritur padinë 50 milionë dollarëshe ndaj Heard pasi e cilëson këtë të fundit si një mashtruese e cila ka shpikur çdo gjë për t’i bërë reklamë vetes dhe për të ngjitur shkallët e karrierës.