Deputetes daneze i dhurohet libri “Mashtrimi i madh”
Në takimin e së premtes në Parlamentin danez, veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare shqiptare në Danimarkë, Ibrahim Xhemajli e Ixhet Lutfiu, dhe deputetja e Parlamentit danez, Yildiz Akdogan, shkëmbyen mendime rreth situatës që lidhet me shqiptarët në Danimarkë.
Ky takim u zhvillua në kuadër të një emisioni dokumentar që është duke u përgatitur lidhur me shqiptarët në Danimarkë.
Akdogan është deputete e Partisë Socialdemokrate të Danimarkës, partisë më të fuqishme në parlamentin danez dhe me ndikim të madh në kuadër të politikës daneze.
Ajo njihet si mbrojtëse e zjarrtë e të drejtave të komuniteteve në Danimarkë dhe ka qenë shumë e angazhuar në mbështetje të kërkesave tona.
Ibrahim Xhemajli dhe Ixhet Lutfiu shfrytëzuan rastin që zonjës Akdogan t’i dhuronin librin “Mashtrimi i madh”, të botuar në gjuhën angleze, të politologut Bardhyl Mahmuti, dhe një ekzemplar shtesë të këtij libri për kryetaren e partisë, Mette Frederiksen.
Ixhet Lutfiu, i diplomuar në Universitetin e Kopenhagës në drejtimin Shkencat e Filmit dhe të Medias, e njoftoi zonjën Yildiz Akdogan se libri “Mashtrimi i madh” i ofron çdo lexuesi mundësinë që të njihet me argumentet e shumta shkencore për krimin e gjenocidit serb në Kosovë.
Është libër serioz që tanimë ka gjetur vend në raftet e bibliotekave të universiteteve më prestigjioze në botë.
Në kontekstin e fushatës serbe për paraqitjen e Serbisë si viktimë, shpërndarja e këtij libri është shumë e rëndësishme.