Deputetët britanikë do të votojnë për shtyrjen e Brexit-it
Deputetët britanikë do të votojnë sot për të kërkuar leje ose jo nga Bashkimi Evropian për shtyrjen e Brexit-it, apo daljes së Britanisë nga BE-ja, pas datës 29 mars, e cila është e paraparë tash për tash.
Votimi vjen një ditë pasi deputetët kanë refuzuar Brexit-in pa marrëveshje me BE-në.
Kryeministrja britanike, Theresa May, do të bëjë po ashtu përpjekjen e tretë për të nxjerrë edhe një herë në Parlament planin e saj për Brexit.
Ky plan i është refuzuar dy herë nga Parlamenti.
Bashkimi Evropian ka thënë se Britania i ka dy rrugë: të largohet me ose pa marrëveshje dhe ka shtuar se blloku është i gatshëm për të dyja.
Deputetët britanikë e kanë refuzuar planin e Mayt për Brexit kryesisht për shkak të një barriere fizike në ishullin e Irlandës.
Me këtë barrierë do të garantohej se nuk do të ketë kufi të fortë midis Republikës së Irlandës, e cila është anëtare e BE-së, dhe Irlandës Veriore, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, edhe nëse nuk ka marrëveshje për tregtinë dhe sigurinë.
Sipas kësaj politike, edhe nëse nuk do të kishte marrëveshje të zbatueshme për çështje të tilla, Irlanda e Veriut do të mbetej në bashkimin doganor dhe në pjesën më të madhe të tregut të BE-së.
Edhe pse BE-ja e ka paraqitur këtë si politikë të përkohshme që ofron siguri, mbështetësit e Brexit-it janë shprehur kundër saj, duke thënë se ajo do ta mbante Britaninë të lidhur ngushtë me BE-në.
Britania ka vendosur të largohet nga BE-ja në një referendum rreth anëtarësisë në vitin 2016.
Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje do të shkaktonte recesion në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në BE.