Deputetët britanikë kërkojnë rrugë ligjore për shtyrje të Brexit-it
Deputetët e Parlamentit britanik, duke përfshirë ata që ishin larguar nga partia Tory, po përgatisin një akt ligjor në rast se kryeministri Boris Johnson refuzon të kërkojë shtyrjen e afatit për dalje nga Bashkimi Evropian.
Një projektligj që kërkon nga Johnson shtyrjen e afatit të Brexit-it që është 31 tetori, pritet të marrë pëlqimin mbretëror.
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se ai më përpara “do të vdiste në hendek” sesa që do t’i kërkonte Bashkimit Evropian shtyrjen e datës për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Tani, deputetët kanë formuar një ekip ligjor dhe thonë se do ta dërgojnë çështjen në gjykatë për të shtyrë këtë projekt-ligj.
Lideri i laburistëve, Jeremy Corbyn ka akuzuar kryeministrin britanik se “nuk ka plan për të arritur marrëveshje të re”.
Parlamenti britanik ka kundërshtuar të mërkurën planin e Johnsonit për të organizuar zgjedhje të parakohshme.
Mirëpo qeveria ka thënë se ai do të tentojë të kërkojë zgjedhje të reja sërish të hënën e javës së ardhshme.
Votimi i ri për zgjedhje të parakohshme pritet të ndodhë pak para se të pezullohet puna e parlamentit nga java e ardhshme deri më 14 tetor.