Deputetët britanikë votojnë sërish propozimin për zgjedhje të parakohshme
Qeveria britanike do t’iu kërkojë të hënën deputetëve që të pajtohen për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme, çka mund të jetë një nga vendimet e fundit të parlamentit para se të pezullohet puna e tij.
Mirëpo qeveria pritet të përballet me humbje, pasi partitë opozitare kërkojnë që fillimisht të miratohet projektligji i tyre që synon të parandalojë largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje.
Kryeministri britanik ka kërkuar fillimisht zgjedhje të parakohshme pasi deputetët, duke përfshirë disa ligjvënës të zemëruar konservatorë, kanë votuar në të mirë të projektligjit që i kërkon Johnsonit zgjatje të afatit për Brexit, nëse nuk arrihet një marrëveshje para 19 tetorit.
Ky projektligj, që pritet të miratohet të hënën, është kritikuar nga qeveria, e cila ka konsideruar se ai dobëson pozitën e qeverisë britanike në negociatat me Brukselin.
Kritikët në anën tjetër kanë thënë se largimi i Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje mund të ketë pasoja të jashtëzakonshme për këtë shtet.
Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.