Deputetët debatojnë për rrogat e larta të menaxhmentit të TRUST-it
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë debatuar gjatë për pagat e menaxhmentit të Fondit Pensional të Kosovës, në kohën derisa po diskutohej për projektligjin për paga në sektorin publik.
Me anë të projektligjit të ri po synohet zgjatja e shtesave për zyrëtarët e këtij institucioni deri në vitin 2022.
Deputetët e LDK-së dhe Vetëvendosjes!, kanë kundërshtuar pagën e lartë të menaxhmentit të TRUST-it.
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes!, Glauk Konjufca, ka thënë se në asnjë vend të Bashkimit Evropian një zyrtar shtetëror nuk e ka pagën sa 15 fishi i pagës mesatare.
“Sa i përket rrogës 5 mijë e 500, unë e kam një pyetje. Ma gjeni një vend në BE, ku një zyrtar e ka pagën sa 15fshi i rrogës mesatare. Na jemi rasti i vetëm në Evropë, ku po e lejojmë 15 fshin e pagës mesatare”, është shprehur Konjufca.
https://www.facebook.com/MekaHalalFood/photos/a.461955333863360/2108530209205856/?type=1&theater
Ai ka përmendur edhe zotësinë e menaxhmentit të këtij institucioni.
“Në mesin e shumë institucioneve publike, por e priveligjojmë vetëm njërin, në këtë rast TRUST-in. Ekspertët po thonë që këtë vit i kanë humbur rreth 85 milionë euro. Sa i përket kësaj se sa të zot janë ata në menaxhim, duhet me përmend që askush s’po jep përgjegjësi kur po humbet”, ka deklaruar Konjufca.
Ndërsa deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se paga 5 mijë e 500 euro në muaj për kryeshefin e TRUST-it është anomali. “5 mijë e 500 euro ka qenë paga e kryeshefit të TRUST-it. Kjo është anomali. Ai e ka pasur këtë pagë edhe kur i ka fituar 500 milionë euro edhe kur i ka hup shumë të mëdha të pareve”, u shpreh Bajrami.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke i votuar amandamentet e propozuara nga deputetët në lidhje me projektligjin për pagat.
Pas përfundimit të votimit të amandamentave do të votohet edhe për projektligjin në tërësi.
Epoka e re/A.M