Deputetët demokratë përleshen mes vetes në Kuvend
Situata e tensionuar në Kuvendin e Shqipërisë vijon edhe të premten e 10 nëntorit, ku këtë herë nuk ka qenë bllokimi mes mazhorancës dhe opozitës temë kryesore, por përleshja mes eksponentëve të opozitës.
Përkatësisht, në një konfliktim verbal janë përfshirë deputetët demokratë, Kreshnik Çollaku dhe Dashnor Sula, i pari pjesë e grupimit Basha dhe i dytë i grupit Berisha.
Në hyrje të komisionit për Çështjet Evropiane, dy deputetët u panë duke u përplasur verbalisht.
Çollaku dhe Sula shfaqen teksa shkëmbejnë ofendime me Çollakun që i drejtohet me cilësimet “lëngaraq, servil dhe legen”, ndërsa Sula e cilëson kolegun si “mashtrues”.
Po ashtu, ai i thotë Sulës se do të bëjë kallëzim penal ndaj tij, pasi pretendon se ky i fundit e ka cenuar fizikisht.
Sakaq, është dashur edhe ndërhyrja e një prej pjesëtarëve të Gardës së Republikës për të ndarë dy deputetët e opozitës.