Deputetët dyshojnë se Vetëvendosje organizoi ‘tollovinë’ për punësime në Gjemani
Deputetët e Kuvendit të Kosovës Luljeta Veselaj-Gutaj dhe Milaim Zeka, kanë ngritur dyshime se organizimi për punësim në Gjemani, që ndodhi ditë më parë në Prizren, është i organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje!, me qëllim të mos liberalizimit të vizave.
Fillimisht ishte deputetja e PDK-së, Luljeta Veselaj-Gutaj e cila e ngriti çështjen e kompanisë gjermane që ofronte mundësi punësimi në Prizren. “Disi pa paragjykuar konsideroj se ishte një zhvillim aspak normal e më së paku i duhur për rrethanat në të cilat po kalojmë si shtet por përtej kësaj shoh edhe qëllime të caktuara në këtë ngjarje. Dua të dijë nga udhëheqësit e nivelit qendror dhe nivelit lokal, a janë në dijeni për një organizim të tillë në çfarë cilësie është organizuar një mobilizim i tillë për punë jashtë vendit, a kanë leje këta persona apo kjo kompani, a duhet organet shtetërore të analizojnë cilësinë e organizime të tilla duke pas parasysh që këto organizime e sfidojnë në tersi edhe aparatin shtetëror të vendit“, ka thënë Veselaj-Gutaj.
Edhe deputeti i Nismës socialdemokrate, Milaim Zeka, ka deklaruar se kanë fakte që njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje!, po i organizojnë këto gjëra në Prizren. “Ka fakte dhe na kanë ardhur informacione që njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje!, po i organizojnë këto gjëra në Prizren dhe ata duhet ta marrin përgjegjësinë, janë këta njerëz që duan ta ulin në zero imazhin e Kosovës para ndërkombëtarëve për mos liberalizimin e vizave, sepse këta jetojnë vetëm në skandale, kaos dhe turbullira. Lëvizja Vetëvendosje!, jeton vetëm kur qytetarët i nxit për gjëra që nuk kanë të bëjnë me realitetin. Mbi bazën e kësaj dola për të thënë se ka informacione dhe është shumë mirë që Policia e Kosovës dhe hetuesit e prokurorët po merren me ngjarjet në Prizren mbrapa të cilave ka dyshime që janë njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka deklaruar ai.