Deputetët e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
Një delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, po merr pjesë në Sesionin e parë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për vitin 2018, i cili po mbahet në Strasburg të Francës.
Gjatë këtij sesioni, delegacioni i Kuvendit të Kosovës po merr pjesë edhe në diskutimet e komisioneve të APKiE-së, si dhe diskutimeve aktuale në çështjet evropiane.
“Këto tema përfshijnë: Rolin e Këshillit të Evropës në procesin e paqes në mes të Palestinës dhe Izraelit, intervenimin e Turqisë në Siri, mbrojtjen dhe promovimin regjional të gjuhëve minoritare në Evropë, mbrojtjen e femijëve të ndikuar nga vendet që janë në konflikte, imunitetin juridik të organizatave ndërkombëtare dhe të drejtat e stafit të tyre, forcimin e rregullave ndërkombëtare kundër tregtisë së mallrave të përdorura për torturë dhe dënimin me vdekje.”, është thënë në një komunikatë për medie të Kuvendit të Kosovës.
Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i APKiE-së nesër do të diskutojë për Situatën në Kosovë, ku raportues është deputeti nga Spanja, Jordi Roca. Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Xhavit Haliti dhe anëtarët: Aida Dërguti, Ismet Beqiri dhe Mufera Sinik, përveç takimeve me delegacionet e vendeve anëtare në APKiE, kanë zhvilluar takim edhe me raportuesin për Kosovën, Roca, ku janë diskutuar temat aktuale me të cilat Republika a Kosovës po perballet tani.
Raportuesi Roca, ka theksuar se është në shërbim të qytetarëve të Kosovës, dhe se do të qëndrojë i paanshëm politikisht dhe do të jetë bashkëpunues në raportin për Kosovën.