Deputetët e Kosovës, pjesë e punimeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës
Një delegacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës i përbërë nga deputetët, Xhavit Haliti, Aida Dërguti dhe Ismet Beqiri, është duke marrë pjesë në punimet e Sesionit të Parë të Rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg të Francës.
Delegacioni i Kuvendit, përveç pjesëmarrjes në punimet e sesionit, ka marrë pjesë edhe në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare të Këshillit të Evropës, me theks të veçantë në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci dhe Komisionin për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Po ashtu delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës është takuar me anëtarë të delegacionit të Parlamentit të Bullgarisë dhe të Suedisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës me të cilët ka biseduar lidhur me mbështetjen e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës në çështjet që ndërlidhen me këtë organizatë.
/Epoka e re/