Deputetët e Kosovës vizitojnë Luginën e Preshevës dhe familjen e komandant Lleshit

06 qershor 2019 | 15:27

Një delegacion i Kuvendit të Kosovës në përbërje të deputetëve: Nait Hasani, Ismail Kurteshi, Arban Abrashi, Teuta Haxhiu, Arbërie Nagavci dhe Valon Ramadani, kanë vizituar Luginën e Preshevës.

Deputetët, anëtarë, të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media pranë Kuvendit të Republikës së Kosovës, kanë vizituar Medvegjen, pastaj Komunën e Bujanocit me ç’rast kanë takuar kryetarin e saj Shaip Kamberi, si dhe kryetarin e Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH), Ragmi Mustafa.

Në këtë takim u diskutuan shumë çështje, në fokus të së cilës ishin: sfidat në arsim, kërkesa për mbështetje institucionale të Këshillit Kombëtar Shqiptar, pajisjen me dokumente të shqiptarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë dhe veprojnë në Republikën e Kosovës, mbështetje në fushat të cilat janë edhe kompetencë e këtyre komisioneve dhe KKSH-së.

Po ashtu, ky grup i deputetëve kanë vizituar edhe shkollën “Sezai Surroi” në Bujanoc, si dhe kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, më pas kanë vizituar edhe muzeun e UÇK-së dhe shkollën “Skënderbeu”.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës jashtë agjendës ka vizituar edhe familjen e Ridvan Qazimit komandant Lleshit, për t’ju shprehur ngushëllim për vdekjen e babait të komandant Lleshit, Haxhi Isen Qazimi.

Ky delegacion i Kosovës gjatë kësaj vizite është interesuar për gjendjen në fushën e arsimit dhe atë të administratës.

Deputetët kanë vlerësuar se situata në Luginë të Preshevës mbetet e njëjtë. Megjithatë deputetët kanë dhënë vërejtje për zbehjen e shpresës nga shqiptarët e Luginës të cilët kërkojnë sa më shumë mbështetje nga Kosova e Shqipëria.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. dr. Hakif Bajrami Vështrim special për profesor Ukshin Hotin…