Deputetët e Kuvendit dënojnë rastin e abuzimit të 16-vjeçares nga Drenasi
Deputetët e Kuvendit të Kosovës përmes një seance plenare e kanë dënuar rastin e abuzimit të të miturës nga Drenasi.
Deputeti Elmi Reçica, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se ky rast është shumë i ndjeshëm.
Ai ka kërkuar nga të gjitha autoritetet përgjegjëse të marrin të gjitha veprimet e duhura për ta trajtuar si duhet këtë rast.
“Është një ngjarje dhe situatë shumë e rëndë, e cila ka shkaktuar hidhërim dhe tronditje të madhe në vend”, është shprehur Reçica, duke shtuar se është shumë me rëndësi që e gjithë shoqëria të angazhohen në parandalimin e rasteve të tilla.
Ndërsa në emër të iniciuesit të seancës së jashtëzakonshme për rastin e të miturës nga Drenasi, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosj, Fatmire Kollçaku, ka thënë se për shkak të dështimit të institucioneve, kanë kërkuar këtë debat.
“Abuzimi filloi në shkollë dhe krimi vazhdoi në polici, duke vazhduar krimi dhe dhunimi. Ndërsa ndodhi abuzimi i tretë në një institucion privat që nuk kishte licencë dhe nuk kishte kushte për adaptim”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër deputetja e LDK-së, Lirije Kajtazi, ka thënë se ligjet dhe mekanizmat institucional që mbrojnë të drejtat e njeriut në vend, nuk e kanë kryer detyrën e vet dhe ka munguar aderimi i problemeve reale.
Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se abuzuesit me nxënësen 16-vjeçare nga Drenasi duhet t’i marrin dënimet maksimale.
Kurse deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, ka theksuar se shteti ka dështuar që t’i mbrojë gratë dhe vajzat nga abuzimet e ndryshme.
Seanca e jashtëzakonshme për rastin e të miturës nga Drenasi është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, LDK-ja dhe Alternativa.