Deputetët e Kuvendit marrin mbështetjen e kolegëve kroatë për vizat
Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryetarja Blerta Deliu – Kodra, ka pritur në takim anëtarët e Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit të Kroacisë, të kryesuar nga Ivan Milošević, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.
Kryetarja Deliu-Kodra, duke i uruar delegacionit të Parlamentit të Kroacisë mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, ka falënderuar shtetin kroat për gjithë mbështetjen që e ka dhënë për Kosovën në kohë dhe rrethana ta ndryshme.
Më tutje, ajo ka folur për objektivat e shtetit të Kosovës, si liberalizimi i vizave dhe integrimi evropian në përgjithësi, që domosdoshmërisht kërkojnë mbështetje nga vendet që kanë kaluar nëpër këto procese, siç është Kroacia.
Nga ana tjetër, Ivan Milošević, duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë, shprehu bindjen se shteti që ai përfaqëson do të jetë vazhdimisht përkrahës i Kosovës nëpër proceset që do të kalojë ajo. Ai ka theksuar përkushtimin për të forcuar më tej bashkëpunimin midis dy vendeve edhe në fusha tjera, si ekonomia, arsimi etj.
Gjatë diskutimit, anëtarët e tjerë të komisionit ritheksuan lidhjen e ngushtë që kanë këto dy shtete në bazë të së kaluarës, e cila, siç u tha, i lidh emocionalisht të dy popujt. Ata kanë shprehur gatishmërinë që e ardhmja të jetë me bashkëpunim edhe më të ngushtë midis parlamenteve dhe vendeve përkatëse.
Po ashtu deputetët kanë thënë se rëndësia e kësaj marrëdhënie në mes të shtetit të Kosovës dhe atij kroat, bëhet edhe më e ngushtë, për shkak të partneritetit strategjik dhe synimeve të përbashkëta euroatlantike.
Anëtarë të delegacionit kroat, nga ana e tyre, kanë trajtuar tema si liberalizimi i vizave për Kosovën dhe anëtarësimi në institucionet evropiane dhe botërore.
Ata kanë thënë se Kroacia i jep mbështetje dhe do të lobojë për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në frymë miqësie e bashkëpunimi është zhvilluar edhe takimi midis mysafirëve kroatë dhe Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike të Kuvendit të Kosovës.
Zëvendës kryetarja e këtij komisioni, Time Kadriaj, ka thënë se komisionet parlamentare dhe vizitat si kjo, mund të shërbejnë si ura të rëndësishme bashkëpunimi midis dy vendeve, në funksion të forcimit të miqësisë e të marrëdhënieve midis dy vende.
/Epoka e re/