Deputetët e Kuvendit të Kosovës kërkojnë heqjen e masave nga BE-ja
Më 9 dhjetor 2024 janë zhvilluar punimet e takimit të 12-të të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel.
Ky takim është bashkëkryesuar nga deputetja Mimoza Kusari-Lila nga Kuvendi i Kosovës dhe Davor Ivo Stier nga Parlamenti Evropian. Nga Kuvendi i Kosovës kan marrë pjesë edhe anëtarët e këtij delegacioni, deputetët Armend Muja, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Jeta Statovci, Avdullah Hoti, Ariana Musliu-Shoshi, Pal Lekaj dhe Enis Kervan. Ndërsa, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Komisionit i është adresuar edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.
Në fjalën e saj hyrëse, kryesuesja Kusari-Lila, ka theksuar se është hera e parë në historinë parlamentare të Kosovës që delegacioni i këtij Komisioni ka përmbyllur me sukses me mandat të plotë të legjislaturës gjashtë takime, gjë e cila tregon stabilitetin politik dhe maturinë institucionale që Kosova ka arritur.
Në vijim të fjalimit të saj, ajo ka potencuar domosdoshmërinë e tërheqjes së menjëhershme të masave ndaj Kosovës nga BE, përgjigjen në aplikimin e Kosovës për shtet kandidat në BE si dhe anëtarësimin e Kosovës në BE.
Gjithashtu, ajo ka nënvizuar se mosvendosja e masave ndaj Serbisë ka inkurajuar këtë shtet agresor që pas sulmit të Banjskës, të organizojë sulmin e dytë terrorist në infrastrukturën kritike të Kosovës, atë më 29 nëntor 2024.
Prandaj, e njëjta ka kërkuar veprime të drejtpërdrejta ndaj shtetit agresor sapo të finalizohen hetimet e sulmit të fundit. Gjithashtu, kryesuesja ka përmendur suksesin e arritur vitin e fundit në rend dhe ligj, demokraci dhe reformat strukturore për integrim në Bashkimin Evropian.
Në vazhdim, qëndrimin e Qeverisë së Kosovës e ka përfaqësuar ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, pasuar nga fjalimet e shefes së Njësisë së DG NEAR në Komisionin Evropian, Barbara Jesus-Gimeno dhe shefes së Njësisë për Europe 2 në Shërbimin Evropian i Veprimit të Jashtëm, Zuzana Michalcova.
Në pjesën e dytë të këtij takimi është diskutuar për progresin e Kosovës në reformat e integrimit në BE si dhe bashkëpunimin rajonal. Për këtë temë, Komisionit iu adresuan deputetja Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, deputetja Ariana Musliu-Shoshi dhe eurodeputeti Davor Ivo Stier.
Tutje, tema e radhës ishte sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe pozita e komuniteteve jo-shumicë, për të cilat fjalën e patën deputeti Enis Kervan dhe eurodeputeti Gordan Bosanac. Në këto diskutime kontribuoi edhe deputetja Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.
Pjesa e tretë dhe e katërt e këtij takimi si fokus ka pasur temën e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe temën zhvilimin ekonomik, tranzicionin e energjisë. Deputetët Armend Muja, Avdullah Hoti, Mimoza Kusari-Lila dhe Pal Lekaj i janë drejtuar Komisionit dhe kanë shprehur qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje.
Tema e fundit në agjendë ishte mediat, shoqëria civile dhe fuqizimi i rinisë, për të cilën fjalën e pati deputetja Jeta Statovci, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Takimi i dymbëdhjetë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë ka përfunduar me miratimin e Deklaratës së Përbashkët, e cila do të publikohet si konkluzë zyrtare e këtij komisioni.
Në fund, bashkëkryesuesit kanë uruar për një takim të suksesshëm dhe ka theksuar se përderisa Kosova përmbyll legjislaturën e 8-të, Parlamenti Evropian sapo ka filluar legjislaturën e re.