Deputetët e LDK-së takohen me të dërguarin special për Evropën Juglindore
Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, dhe deputetët Vjosa Osmani e Armend Zemaj, kanë pritur sot në takim të dërguarin special për Evropën Juglindore, Christian Hellbach, dhe ambasadorin gjerman Christian Heldt.
Me këtë rast, Beqiri i ka njoftuar të pranishmit për situatën aktuale politike në Kosovë dhe qëndrimet e LDK-së.
Ai ka falënderuar përfaqësuesit gjerman për përkrahjen dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Gjermanisë për shtetin e Kosovës.
Ndërkohë, i dërguari special për Evropën Juglindore, Christian Hellbach, ka vlerësuar rolin e LDK-së në proceset e ndryshme nëpër të cilat po kalon Kosova.
Gjatë takimi është diskutuar edhe për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës.
Për rolin dhe punën që po bën LDK-ja në Kuvendin e Kosovës, të dërguarin special Hellbach dhe ambasadorin Heldt i kanë informuar deputetët Osmani dhe Zemaj.
/Epoka e re/