Deputetët e LV-së kundërshtojnë edhe amendamentet për sigurimin shëndetësor dhe pensionimin e parakohshëm për policinë
Dy amendamente të propozuara në Kuvendin e Kosovës, ai për sigurimin shëndetësor dhe për pensionimin parakohshëm për Policinë e Kosovës nuk kanë kaluar.
Kanë qenë deputetët e Vetëvendosjes që kanë ngritur dorën kundër këtyre dy propozimeve, të Rashit Qalajt dhe Ganimete Musilut. Ai që është parë të ketë abstenuar është kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Qalaj me amendamentin e tij ka kërkuar ndarjen e pesë milionë euro për sigurimin shëndetësor për policinë, ndërsa Musliu 10 milionë për pensionim të parakohshëm.
Deputetja Musliu, pas votës kundër të deputetëve të Vetëvendosjes, ka thënë se i vjen turp që është pjesë e kësaj legjislature.
“Sot patët mundësinë që t’i përmirësoni gabimet. I keni detyruar policinë, për inate personale e politike që të dalin në protesta. Turp! Turpi qoftë mbi ju”, ka thënë Musliu, në seancën e Kuvendit ku është duke diskutuar për buxhetin e vitit 2024.