Deputetët e LV-së votuan që Kosova ta paguajë rrymën 11 milionë euro për serbët në veri
Edhe sot është zhvilluar debat parlamentar për rrymën e shpenzuar nga serbët në katër komunat veriore.
Dy propozim rekomandime sot ka paraqitur Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me pagesën e rrymës për serbët në katër komunat veriore.
Propozimi i deputetes Mimoza Kusari-Lila i cili mori mbështetjen e Komisionit me 6 vota për, ishte që KOSTT-i të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm dhe të mos obligohet Qeveria për këtë.
Sipas saj, obligim i qeverisë mbetet që të zgjidhë këtë çështje për shtrimin e autoritetit në fushën e energjisë brenda 6 muajve në veri.
Ndërsa, kundër kësaj ishte kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala i cili theksoi se nuk duhet legalizuar kjo çështje për qytetarët serb në veri.
Propozimi i tij ishte që Qeveria tek e fundit të paguaj edhe gjashtë muaj, jo KOSTT.
“Nuk jam për me legalizuar për mbulimin e shpenzimeve në veri. Qeveria duhet të bëj zgjidhje, unë jam kundër pagesës, por meqë nuk keni zgjidhje, mos të rrezikohet anëtarësimi me ENTS-E”, u shpreh Shala.