Deputetët e mazhorancës me kauza po mbrojnë aferat korruptive
Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka deklaruar se me kauza të ndryshme deputetët e pozitës po i mbrojnë aferat korruptive.
Kadrijaj për Front Online thotë se të vërtetën nuk po duan ta zbardhin.
Bllokimi i Komisionit Hetimor, sipas saj, asnjëherë s’ka ndodhur në historinë parlamentare.
“Është një kauzë e mazhorancës që t’i mbrojnë të gjitha këto afera korruptive që po ndodhin. Nuk po dëshirojnë të zbardhët e vërteta dhe pretendimet për Martin Berishajn, rezervat shtetërore dhe të tjera. Asnjëherë në historinë parlamentare nuk ka ndodh të pengohen punimet e Komisioneve Hetimore. Për shkak të mos zbulimit të aferave po ndodh krejt kjo, sepse Komisionet Hetimore kanë të drejtë me ndjek rastin edhe tek organet e Prokurorisë në bazë të analizës dhe fakteve”, përfundoi Kadrijaj.
Më 21 shtator të 2023-tes, 69 deputetë kanë votuar pro themelimit të Komisionit derisa gjashtë deputetë kanë abstenuar dhe vetëm një ka votuar kundër.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ia ka vazhduar mandatin Komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore duke e hedhur poshtë kërkesën e adresuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, i cili njëherësh ishte edhe kryesues i komisionit të cilit i ka skaduar mandati më 21.03.2024.