Deputetët e opozitës në Shqipëri bllokojnë foltoren e Kuvendit
Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit të Shqipërisë pasi kryeparlamentari Gramoz Ruçi ia ka ndërprerë fjalën kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
Menjëherë pas kësaj deputetët e opozitës përpara kryeministrit kanë shpalosur një parullë ku shkruhej “Shqipëria si gjithë Evropa, jo qeveri e krimit dhe e drogës”.
Para se të bllokohej foltorja e Kuvendit, Lulzim Basha, ka thënë se ka rënë Kushtetuta e Shqipërisë.
“E gjitha kjo që keni parë në këto minuta është përpjekja e dëshpëruar e kësaj mazhorance, e kësaj qeverie të kapur në krim e të zhytur në krim për të dhënë përshtypjen e një fasade parlamentaro-demokratike. Nuk është ky skenar i turpshëm, teatër kukullash që imponohet nga kjo sallë. E vërteta është se Kushtetuta ka rënë, Kodi Penal ka rënë, Kodi i Procedurës Penale ka rënë, Ligji antimafia ka rënë, Ligji i famshëm i Vetingut të policisë ka rënë për sa kohë në ato karrige janë të ulur Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama që janë zbuluar para mbarë shqiptarëve e mbarë botës si hartuesit e zbatuesit e një skenari kriminal që ka për qëllim të mbulojë veprimtarinë kriminale të Fatmir Xhafajt në ndihmë të vëllait të tij Agron Geron Xhafaj, të mbulojë komplotin antiligjor dhe antikushtetuese”, ka thënë Basha.