Deputetët e Parlamentit Evropian votojnë për sanksione të reja ekonomike që do godasin ‘ashpër’ Turqinë
Këtë të mërkurë Deputetët e Parlamentit Evropian kanë dënuar veprimet ushtarake të Turqisë në pjesën verilindore të Sirisë, duke përgatitur kështu rrugën për sanksione të reja financiare drejt Ankarasë.
Parlamenti Evropian nuk mund të thotë fjalën e fundit për politikën e jashtme të Unionit, por ka fuqinë për të ndryshuar rrjedhën e gjërave përsa i përket financimeve që shkojnë drejt Turqisë.
Deputetët do të votojnë të enjten në një draft-rezolutë me fokus “masa ekonomike të përshtatshme dhe me objektiv kundër Turqisë”.
Teksti, i cili pritet të pësojë edhe disa ndryshime të tjera, thërret për një ngrirje të eksporteve të agrikulturës së Turqisë në BE.
Më tej dokumenti bën thirrje që Këshilli Evropian të prezantojë seri të reja me sanksione dhe ndalime vizash për zyrtarët e lartë turk, të cilët janë përgjegjës për abuzimin e të drejtave njerëzore gjatë ndërhyrjes ushtarake.
Si sanksion të fundit Parlamenti propozon që BE-ja të bllokojë kufijtë doganorë me Ankaranë, një masë e cila do të dëmtojë marrëveshjen tregtare me vlerë 200 bilion euro midis bllokut dhe Turqisë, shkruan “scantv”.
Parlamenti gjithashtu mund të presë fondet që i jep Turqisë në përballimin e situatës me 3 milionë refugjatë sirianë në territoret e saj.
Deputet refuzojnë në mënyrë kategorike ambicien që Turqia ka për krijimin e zonës së sigurte duke propozuar një zgjidhje tjetër. Ata shprehen se këtë çështje duhet ta marrë në dorë Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, që duhet të krijojë një zonë të sigurte nën autoritetin e saj.