Deputetët e partisë së Vulinit kërkojnë që Serbia t’i bashkohet Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut
Deputetët nga radhët e Lëvizjes së Socialistëve të Serbisë (PS) të kryespiunit serb Aleksandër Vulin, të cilët janë partnerë të koalicionit me Partinë Progresiste Serbe (SNS) të presidentit Aleksandër Vuçiç, të hënën i kanë propozuar parlamentit serb që Serbia t’i bashkohet Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut (BRICS).
“Të vetëdijshëm për faktin se bota që po jetojmë po ndryshon pakthyeshëm, ne shprehim nevojën për të hapur një dialog më të gjerë social para popullit të Serbisë rreth faktit të pakundërshtueshëm se e ashtuquajtura rrugë evropiane e Serbisë e ka një alternativë në procesin e anëtarësimit në organizatën BRICS”.
Ata kanë pretenduar se kjo do të konfirmonte përkushtimin e Serbisë për vendosjen e një rendi botëror më të drejtë, i cili do të bazohej në respektimin e pakushtëzuar të ligjit ndërkombëtar dhe do të kufizonte “hegjemoninë perëndimore dhjetëvjeçare e do të sillte më shumë siguri dhe stabilitet në botë”.
Deputetët serbë, siç transmeton gazeta opozitare serbe “Danas“, kanë kërkuar nga Qeveria e Serbisë që në afat prej 30 ditësh nga miratimi i mundshëm i kësaj rezolute, të kërkojë nga BRICS pozitën e shtetit vëzhgues, por edhe të themelojnë një ministri për anëtarësim në këtë organizatë dhe të miratojë një strategji të veçantë për këtë.
Ndryshe, perspektiva e Serbisë drejt Bashkimit Evropian (BE) është ende e pasigurt, nuk është e qartë. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorvshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë saj, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesë tjetër e botës perëndimore.