Deputetët ia heqin imunitetin liderit opozitar në Venezuelë
Ligjvënësit besnikë të presidentit të kontestuar të Venezuelës, Nicolas Maduro, i kanë hequr imunitetin liderit opozitar, Juan Guaido dhe kanë autorizuar hetim penal ndaj tij nga Gjykata Supreme.
Ky vendim lehtëson arrestimin potencial të Guaidos për shkelje të mundshme të Kushtetutës kur ai e ka shpallur veten president të përkohshëm.
Kritikët e asamblesë kanë thënë se ky vendim fuqizon vendimet e Maduros dhe zbeh pushtetin e Asamblesë Kombëtare, të kontrolluar nga Guaido.
Gjykata ka kërkuar që asambleja t’i heqë imunitetin Guadios për marrje të fuqisë së Maduros, pasi ai e ka shpallur veten president të përkohshëm më 23 janar, hap që është njohur nga 50 shtete.
Guaido ka shprehur shqetësimet se mund të kidnapohet nga agjentët qeveritarë pas kërkesës së gjykatës.
Në vendimin e gjykatës përmendet shkelja që ka bërë Guaido kur ka udhëtuar jashtë Venezuelës.
Përveç betejës politike, Venezuela është përballur edhe me ndërprerje të energjisë elektrike, duke përkeqësuar kushtet për jetesë në këtë vend.
Qeveria e Maduros ka fajësuar “terroristët” për sulmet që pretendohet se kanë dëmtuar digën kryesore hidroelektrike.
Më 31 mars, Maduro ka njoftuar se do të zvogëlojë orarin e punës dhe do të mbyllë shkollat për 30 ditë, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për këtë problem.