‘Deputetët ishin të kujdesshëm për mëditje, të papërgjegjshëm për të marrë pjesë në seanca’
Kuvendi i Kosovës ka përmbushur vetëm 13 për qind të planit legjislativ për vitin 2023. Kështu ka vlerësuar Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë kjo që bënë monitorimin e punës së Kuvendit.
Në publikimin e raportin “Ligjvënia mes shumë sfidave” është thënë se ky sesion është karakterizuar nga shumë të papritura dhe përmbajtje të llojllojshme, dhe ligjvënia gjatë kësaj periudhe është shoqëruar me shumë sfida.
Arbër Thaçi, hulumtues në KDI, gjatë interpretimit të të dhënave, ka thënë gjatë këtij sesioni, Kuvendi ka zhvilluar 49 seanca në tërësi.
“Gjysma e tyre ishin seanca plenare, ndërsa ngecja në trajtimin e agjendës parlamentare në vitin paraprak dhe aktual, së bashku me keqplanifikimin, shkaktoi nevojën për të zhvilluar një numër të madh të vazhdimeve të seancave. Përveç këtyre, u mbajtën edhe tetë seanca të jashtëzakonshme dhe dy seanca të karakterit solemn”, ka thënë ai.
Më tutje, Thaçi ka thënë se Kuvendi gjatë kësaj periudhe miratoi gjithsej 44 projektligje, 11 prej të cilave ishin marrëveshje ndërkombëtare.
“Nga këto, 17 projektligje ishin pjesë e planit legjislativ të Qeverisë për vitin 2023, ndërsa pjesa më e madhe e projektligjeve të miratuara, 27 projektligje, ishin të planit legjislativ të viteve paraprake 2022 dhe 2021. Kështu, Kuvendi përmbushi 13 për qind të planit legjislativ 2023. Në anën tjetër, 14 projektligje ende presin miratimin në lexim të dytë, pasi janë miratuar vetëm në shqyrtim të parë gjatë këtij sesioni”, ka thënë ai.
Thaçi ka treguar se mungesa e kuorumit ka ndikuar negativisht në këtë sesion, megjithatë numri i mjaftueshëm i deputetëve për të zhvilluar punimet e Kuvendit ka ekzistuar gjatë gjithë kohës, siç evidentohet në listat zyrtare.
“Kjo dëshmon se deputetët kanë qenë të kujdesshëm për tu regjistruar për të marrë mëditjet, por kanë treguar papërgjegjshmëri në pjesëmarrje të rregullt në punimet e Kuvendit. Kjo është në kundërshtim me aktgjykimet Gjykatës Kushtetuese dhe interesin publik, që i obligon deputetët që të marrin pjesë rregullisht në punimet e Kuvendit”, ka thënë Thaçi.
Më tutje, Thaçi ka vënë në dukje edhe përdorimin e shpeshtë të gjuhës jo parlamentare, që nuk u ndëshkua nga ana e Kryetarit të Kuvendit, e që prodhoi tensionim të gjendjes, e cila gjatë muajit korrik eskaloi edhe në përplasje fizike mes deputetëve e ministrave, me përmasa të tilla të papara ndonjë herë në Kuvend.
Në anën tjetër, hulumtuesja Violeta Haxholli, ka prezantuar të dhënat lidhur me funksionin mbikëqyrës të Kuvendit.
Sipas saj, në këtë sesion, deputetët parashtruan gjithsej 171 pyetje parlamentare. Megjithatë, numri i pyetjeve nuk ishte i kënaqshëm, duke pasur një mesatare të ulët për secilin deputet ndërsa, 82 deputetë nuk parashtruan asnjë pyetje parlamentare.
Më së shumti pyetje kanë parashtruar deputetët e partisë në pushtet me gjithsej 102 pyetje, pasuar nga partitë opozitare, PDK-ja me gjithsej 45 pyetje, AAK-ja me 13 pyetje, LDK-ja me 10 pyetje dhe komunitetet me vetëm 1 pyetje.
Kryeministri Albin Kurti ka pranuar 17 pyetje kryesisht lidhur me zhvillimet në veri dhe dialogun me Serbinë, për të cilat ofroi përgjigje. Në anën tjetër, disa nga ministrat nuk i kanë trajtuar seriozisht pyetjet e deputetëve, veçanërisht ministri i Punëve të Brendshme dhe Ministrja e Punëve të Jashtme nuk iu përgjigjën pyetjeve, ndonëse ato ishin përsëritën disa herë.
Haxholli ka folur edhe për trajtimin e reformës në drejtësi nga Kuvendi, duke vlerësuar pozitivisht konsensusin në mes të partive politike për shqyrtimin e vetingut, por duke treguar nevojën për të mirëmbajtur konsensusin dhe zgjeruar përkrahjen për këtë proces edhe tek partitë e komuniteteve jo shumicë, pasi që për miratimin e amendamenteve kushtetuese për vetingun nevojiten edhe 2/3 e tyre.
Sa i përket zhvillimeve në komisionet parlamentare ato kanë mbajtur gjithsej 221 mbledhje, 10 dëgjime publike dhe 5 vizita në terren. Më së shumti mbledhje mbi 20 kanë mbajtur Komisioni për Ekonomi, Komisioni për Shëndetësi, Komisioni për Buxhet dhe Komisioni për Legjislacion. Komisionet kanë trajtuar rreth 35 projektligje. Ndërsa në aspektin e mbikëqyrjes ministrat e qeverisë kanë paraqitur projektligje dhe kanë raportuar 35 herë para komisioneve, ndërsa përfaqësuesit e tjerë të lartë institucionalë 42 herë. Vetëm tri komisione kanë zhvilluar vizita në terren tek institucionet përkatëse gjatë kësaj periudhe.
Sa i përket mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve, Haxholli, ka vlerësuar se vetëm dy ligje u mbikëqyrën në tërësi nga Kuvendi, një shifër që nuk është e mjaftueshme.
Gjithashtu, ajo ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me mungesën e transparencës së Kuvendit ndaj publikut, përfshirë mungesën e votimit elektronik, mos publikimin e votave me dorë, dhe mos publikimin e rregullt të procesverbaleve të mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe atyre ad-hoc.
Në fund, KDI-ja ka ofruar disa rekomandime për Kuvendin dhe deputetët, duke theksuar nevojën për planifikim të mirëfilltë të seancave, pjesëmarrje të rregullt të deputetëve në punimet e Kuvendit, zgjerim të konsensusit dhe gjithëpërfshirës për reformën në drejtësi, rritje të mbikëqyrjes ndaj ekzekutivit, adresimin e gjuhës jo parlamentare dhe garantimin e transparencës së Kuvendit ndaj publikut.