Deputetët kërkojnë ndërprerjen e grevës në arsim
Deputetët e Kuvendit të Kosovë në seancën parlamentare kanë ngritur shqetësimet e tyre për grevën e mësimdhënësve në institucionet arsimore në Kosovë. Ata kanë kërkuar që të bëhet një zgjidhje në mënyrë që të mos dëmtohet procesi arsimor në vend.
Më shumë se 350 mijë nxënës të institucioneve të arsimit parauniversitar dhe rreth 110 mijë studentë në Kosovë kanë hyrë në javën e tretë që nuk janë duke vijuar procesin mësimor, si pasojë e grevës së mësimdhënësve.
Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Valentina Bunjaku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për grevën e mësimdhënësve.
Kjo pakënaqësi sociale e mësimdhënësve, sipas saj, ka ardhur si pasojë e ngritjes së pagave për kabinetin qeveritar, e bërë një vit më parë.
“Greva e mësimdhënëse ka paralizuar krejtësisht arsimin parauniversitar, si asnjëherë më parë në vendin tonë. Greva do të ketë pasoja të mëdha në procesin mësimor për nxënësit dhe tërë shoqërinë. Efektet negative do të jetë afatgjatë dhe askush nuk ka të drejtë t’i dëmtojë fëmijët tanë. Nuk është e drejtë e as e arsyeshme të akuzohen mësimdhënësit për grevën”.
“Qeveria aktuale e udhëhequr nga Ramush Haradinaj rriti pagat e veta dhe irritojë të gjithë mësimdhënësit dhe shumë shtresa të shoqërisë tonë. Vendimi i Qeverisë krijojë reaksion zingjiror të pakënaqësisë qytetare, por edhe të mësimdhënësit, shërbyesve civilë, mjekëve e infermierëve”, ka thënë Bunjaku.
Qeveria e Kosovës, drejtuar nga Ramush Haradinaj, pati marr një vendim për rritje të pagës për kabinetin qeveritar.
Sipas këtij vendimi, paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa kishte qenë ishte bërë 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro.
Deputetë të partive të koalicionit qeveritar kanë kritikuar grevën e mësimdhënësve, duke thënë se Qeveria aktuale ka bërë rritje të pagave për mësimdhënësit dhe kanë kërkuar që mësimi në institucionet arsimor të fillojë.
Teuta Haxhiu, deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thotë se pagat për mësimdhënësit me Projektligjin e ri ka rritje deri në 20 për qind dhe se mësimdhënësit nuk kanë arsye që të jenë në grevë.
“Për më pak se dy vjet, Qeveria Haradinaj ka rritur pagat e mësimdhënësve nga arsimi parauniversitar dhe arsimin e mesëm me përqindje prej 20 për qind. Sindikata e Bashkuara e Arsimit në Kosovë e ka pasur të hapur derën e hapur në Qeveri dhe të gjithë kërkesat e tyre janë marrë parasysh dhe kemi bashkëpunuar deri në momentet e fundit. Tani kemi Ligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, i cili ka pritur pesë vjet dhe tani e kemi këtë ligj. Jemi në përkrahje të mësimdhënësve, por ta dinë për edhe që punojnë në dy apo tre vende pune që të lirojnë ato”, ka thënë Haxhiu.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës në seancën parlamentare të mërkurën kanë kërkuar që të bëhet zgjidhje në mënyrë që të greva të ndërpritet, po ashtu ata ju kanë bërë thirrje mësimdhënësve që t’i kthehen vijimit të procesit arsimor.
Sidoqoftë, deri më tani mësimdhënësit vazhdojnë të jenë këmbëngulës në realizmin e kërkesës së tyre që ka të bëjë me rritjen e koeficientit të pagës.
Kërkesa e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë dhe e Këshillit Grevist është ngritja e koeficientit për punonjësit e arsimit së paku 30 për qind.
Në bazë të Projektligjit aktual për pagat, në koeficientet nga 1.7 deri në 2.5, përfshihen përfaqësues të sistemit arsimit, bashkë me edukatorët e kopshteve deri te drejtorët e shkollave të mesme.
Në Kosovë në grevë përveç mësimdhënësve për më shumë se një muaj janë edhe mjekët kirurgë. Po ashtu, gjatë kësaj javë në grevë kanë hyrë edhe punëtorë të sektorit civil.
Projektligji për pagat në sektorin publik është në fazën e shqyrtimit parlamentar dhe pritet të procedohet në Kuvendin e Kosovës më 31 janar së bashku me Projektligjin për buxhetin 2019.