Deputetët kërkojnë nga drejtori i AKI-së informacione për incidentin në veri dhe ‘non-paper’-in

12 maj 2021 | 13:09

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI),  Petit Ajeti, të mërkurën ka zhvilluar takim njoftues me Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Pas takimit, kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu, ka bërë me dije se me drejtorin e AKI-së kanë diskutuar për incidentin e alpinistëve në veri dhe qarkullimin e një dokumenti i quajtur “non-paper”.

“Kishim takim njoftues me drejtorin e ri të AKI-së, por gjithsesi pati edhe pyetje që parashtruam unë dhe anëtarët e komisionit. Vlen të ceket se dy nga pyetjet e parashtruar ishin: informacione rreth incidentit me alpinistët në veri të Mitrovicës dhe po ashtu e pyetjen se a ka njohuri rreth një sekreti publik që është diskutuar jo vetëm në qarqet e brendshme po edhe ato ndërkombëtare, pra ‘non-papers’ që është diskutuar mjaftë”, është shprehur ajo, duke bërë me dije se janë pajtuar edhe për një takim të radhës.

“E lamë takimin e radhës pas disa ditësh. Po shpresoj shumë që e kemi filluar mbarë dhe uroj që të kemi bashkëpunim si komision dhe të jemi në krye të detyrës që të japim maksimumin sa i përket mbikëqyrës dhe kontrollit demokratik të AKI-së. Presim bashkëpunim edhe nga drejtori”, ka deklaruar Musliu.

Më tutje, Musliu ka thënë se komisioni që drejton ka vendosur që të ftohet për raportim edhe  kryeinspektori i AKI-së në mënyrë që të ketë pasqyrim të qartë rreth gjendjes në këtë agjenci. “Në javën e ardhshme morëm vendim që ta ftojmë kryeinspektorin si zinxhir organizativ që është brenda për brenda. Po besoj që pas takimi do ta kemi një pasqyrë të qartë se ku qëndron agjencinë dhe pastaj do të shohim se ku qëndrojnë mundësitë tona” ka thënë ajo.

Kryetarja e Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu, ka theksuar se është duke u paraparë edhe plotësim-ndryshimi i Ligjit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.“Jemi në diskutim e sipër që kemi nevojë për plotësimin-ndryshimin e Ligjit të AKI-së. Do të shohim a është në agjendën e programit qeverisës. Ai (Ajeti) na njoftoi që këto dy çështje e kanë vëmendjen e agjencisë”, ka thënë Musliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Izraelit në Serbi, Jahel Vilan, ka bërë me…