Deputetët kërkojnë që të zbriten për 25 për qind pagat e drejtuesve të Trustit
Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa ka mbajtur të mërkurën mbledhjen në të cilën është rekomanduar që të ulën pagat për 25 për qind për zyrtarët e lartë në Trustin e Kursimeve Pensionale.
Në rekomandimet e miratuara është thënë se pagat e këtyre zyrtarëve të jenë në nivel të pagave të drejtuesve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Aktualisht paga më e lartë në Trust është 4 980 euro, ajo e drejtorit menaxhues, ndërsa paga më e lartë në BQK është ajo e guvernatorit me 4 120 euro.
Ndërsa paga e drejtorit menaxhues të Trustit, Adrian Zalli, me shtesa dhe bonuse arrin nga 5 deri 6 mijë euro në muaj.
Kryetari i këtij Komisioni për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pagat në Trust janë disprporciononale me pagat tjera.
Ndërsa Naser Osmani, anëtar i këtij komisioni, ka thënë se rekomandimi i grupit punues është që të zvogëlohet për 25 për qind të gjitha pozitat e larta në Trust dhe të hiqen shtesat dhe bonuset tjera për mbledhjet e tyre.