Deputetët kërkojnë të intervenohet në shtëpitë muze në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka folur për gjendjen jo të mirë të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ai ka kërkuar urgjentisht që intervenohet në shtëpitë muze të familjes Jashari.
Haxhiu ka thënë se në legjislaturën e kaluar është miratuar një amendament, i cili sipas tij mundësonte investime në Kompleksin Memorialin “Adem Jashari”.
“Amendamenti i miratuar në Kuvend do të duhej t’i hapte rrugë konservimit dhe restaurimit të shtëpive muze në lagjen Jashari në Prekaz, por Agjencioni për Mbrojtjen e Komplekseve Memoriale nuk bëri punën e duhur. Përkundër ndarjes së mjeteve financiare, kodit buxhetor për restaurimin dhe konservimin e shtëpive muze, puna nuk ka filluar as atëherë, as sot, e për më keq mjetet e planifikuara nuk u shpenzuan, ato u ridestinuan e disa nga to shkuan edhe në suficit”, ka thënë Haxhiu në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës.
Edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka folur rreth Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, sipas të cilit nëse nuk merren masa atëherë kullat e Jasharëve do të shemben.
Ndërsa deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka thënë se fajin për gjendjen e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” e kanë PDK-ja dhe LDK-ja.