Deputetët LV-së insistojnë në shkarkimin e bordit të KPM-së

16 shkurt 2024 | 13:43

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nijazi Isaku dhe Besim Muzaqi, kanë kërkuar shkarkimin e bordit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) pasi, sipas tyre “KPM-ja rrezikoi sigurinë nacionale me kanalet serbe”.

Fillimisht, deputeti Isaku ka thënë se KPM-ja ka rrezikuar sigurinë nacionale kur ka vendosur të pezullojë vendimin për ndalimin e kanaleve të “Arenas”.

Duke cituar vendimin e KPM-së, Isaku është shprehur se ndalimi i programeve serbe ishte bërë me qëllim që të mos cenohet siguria nacionale.

“Me të vërtetë është cenuar siguria nacionale dhe interesi i përgjithshëm i Republikës së Kosovës. Sepse krejt dynjaja e di, krejt ky vend e di që është ataku siguria nacionale më 3 tetor. Edhe ju jeni kanë të bindur fuqishëm se është atakuar siguria dhe interesi i përgjithshëm në vend. Çka ndryshoi?”, ka pyetur  Isaku, raporton “Ekonomia Online”.

Ndërsa deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Besim Muzaqi, ka thënë se ende ka dyshime se si ka ndodhur që në mbledhjen e KPM-së ka hyrë në rend dite pezullimi i vendimit për kanalet e “Arenes”. Ai ka thënë se pika e rendit të ditës ishte kontrabanduar dhe ishte pezulluar largimi i kanaleve serbe nga platformat e Republikës së Kosovës.

Muzaqi ka thënë se KPM-ja duhet të jetë e pavarur edhe nga ambasadat dhe shoqëria civile.

“Është mirë me kanë të pavarur edhe nga ambasadat kur ju shkruajnë, edhe nga shoqëria civile, edhe nga njerëzit që kanë interesa të caktuara. Krejt rrjedha e kësaj ngjarjeje po çon se ju të pavarur prej neve po… rasti është i rëndë sepse po flasim për një vendim që ia kthen mundësinë një operatori kanalet që kanë bërë glorifikim të terroristëve”, ka thënë Muzaqi.

Në anën tjetër, kryetari i bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Jeton Mehmeti, ka thënë se mesazhet e publikuara në kanalet serbe në platformat e Kosovës kanë cenuar sigurinë e përgjithshme dhe kanë dëmtuar interesin nacional.

Ai ka deklaruar se shfuqizimi i vendimit ishte marrë pas katër muajsh pasi kanë pasur edhe një letër nga “Arena”.

“Në fund jemi ballafaquar me kërkesa direkte nga ‘Arena’, me lutjen ‘aman rishqyrtojeni vendimin se po cenohet e drejta e një komuniteti të caktuar nga ngjarjet sportive’. Kemi mekanizma të rinj që garantojnë se mesazhe të tilla politike në kanalet sportive kurrë më nuk do të përsëriten. Jap siguri se në plotëni respektohen Rregulloret e KPM-së. Kjo letër i është dërguar edhe ambasadave në Kosovë”, ka thënë Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, ka vdekur. Ky lajm është…