Deputetët me dilema rreth shtesave për fëmijë
Edhe pse kishe përfunduar debati, deputetët e Kuvendit të Kosovës, vazhduan edhe sot dilemat për se si duhet të ndahen shtesat e fëmijëve.
Deputetja Donika Kadaj-Bujupi, si propozuese e rezolutës në lidhje me shtesat e fëmijëve, tha se PDK ka nevojë për koordinim shtesë.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se e mbështesin idenë që t’i ndahen shtesa fëmijëve, por brenda atij buxheti duhet të kategorizohen fëmijët.
“Është pak problematike në kontestin e situatës në Kosovë që fëmija i një familje që jeton me ndihmë sociale, pra në varfëri, të marrë shumën e njëjtë si fëmija i një milioneri“, ka thënë ai.
Kurse, shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilalll Sherifi tha se shtesat për fëmijë i dedikohen të gjithë fëmijëve pa marrë parasysh a kanë apo nuk kanë.
“Nëse e quajmë shtesa për fëmijë, ne të gjithë kemi qenë fëmijë dhe e dimë që prindërit tonë kanë marrë shtesa për fëmijë dhe pa dallime a ka qenë i punësuar në punë të shtetit apo në punë private, shtesat për fëmijë kanë qenë të rregulluara me ligj“, tha ai.
Në fund u pajtuan që të krijohet një komision për të harmonizuar qëndrimet e grupeve parlamentare.
Seanca vazhdoi me miratimin në parim të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, projektligjin në parim për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për kinematografinë, projektligjin në parim për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për bibliotekat, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Sportit.
Po ashtu, janë miratuar raporti vjetor të Qeverisë për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2017, Raportit të Auditimit të Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit Prishtina Sh. A për vitin 2017, raporti vjetor mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2017, si dhe emërimin e kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, emërimin e kryetarit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Ndërkohë, projektligji për Ndërmarrjet Sociale, raporti vjetor i punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2017 dhe projektligji për transmetuesin publik të Kosovës, nuk kanë kaluar.