Deputetët në takim me gjermanët: Kosova, e orientuar drejt perëndimit
Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane dhe të atij për Punë të Jashtme, kanë pritur në takim një delegacion të Grupit të Miqësisë për marrëdhënie me shtetet e Evropës jug-lindore të Bundestagut gjerman.
Zëvendëskryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Armend Zemaj, pasi u ka uruar mirëseardhje delegacionit gjerman, ka prezantuar punën e Komisionit për Integrime Evropiane në raport me sfidat dhe të arriturat e Kosovës në fushën e integrimeve evropiane.
Ai ka theksuar se për të shënuar progres në këtë drejtim është më se i nevojshëm bashkëpunimi ndërmjet Bundestagut gjerman dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Ne si shtet synojmë familjen evropiane”, ka thënë Zemaj.
Ndërsa, në emër të Komisionit për Punë të Jashtme, fjalën e ka marrë deputeti Elmi Reçica, i cili ka theksuar se Kosova duhet të jetë pjesë e sigurisë globale, duke parandaluar dukuritë negative dhe duke siguruar mbështetje të vazhdueshme nga shteti i Gjermanisë.
Po ashtu, Reçica ka folur edhe për procesin e përmbylljes së dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se vendi ynë është i interesuar për stabilizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.
“Ne jemi të orientuar drejt perëndimit, jemi pro Brukselit dhe pro anëtarësimit në NATO”, ka thënë Reçica.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Grupit të Miqësisë për marrëdhënie me shtetet e Evropës jug-lindore të Bundestagut gjerman, Josip Juratovic, ka thënë se misioni i tyre është që të promovojnë dhe të forcojnë ndërgjegjen parlamentare, duke u thirrur në arritjen e kompromisit midis shteteve.
“Kompromisi është zgjedhja e vetme për të arritur tutje”, ka thënë Juratovici, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Bundestagut gjerman.
/Epoka e re/